Në 2016 Shqipëria çel negociatat për anëtarësim në BE
Në konferencën e përbashkët për media, Rama dhe Pitella shprehën besimin se 2016 do të jetë viti i çeljes së negociatave të anëtarësimit mes vendit tonë dhe BE. Paraditen e sotme, kryeministri Rama ka pritur në një takim kryetarin e së majtës evropiane, Gianni Pittella, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë.

“Ne presim me qetësi dhe maturi progres-raportin, që mendojmë se do të jetë rikonfirmimi i progresit të nisur. Gjithashtu kemi besimin se vitin e ardhshëm do të marrim dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit”, ka deklaruar Rama.

Sakaq, Pittella është shprehur: “Qeveria Rama ka punuar shumë mirë për reformat sociale e institucionale. Ju inkurajoj të vijoni me reformën në gjyqësor. Kemi bindjen se vitin e ardhshëm Shqipëria do të marrë çeljen e negociatave të anëtarësimit”.

Çështja e refugjatëve ka qenë një tjetër temë e prekur në konferencën për shtyp, me kryeministrin Rama që ka dhënë garancinë e tij se Shqipëria do të luajë rolin e saj për menaxhimin e këtij problemi.

“Shqipëria është e përgatitur të marrë përsipër rolin e saj dhe të bëjë gjithçka për të lehtësuar sadopak këtë krizë të rëndë, në bashkëpunim me vendet që kanë peshën më të madhe, si Gjermania”, ka thënë Rama.

Nga ana e tij, Pittella ka vlerësuar angazhimin e treguar nga Tirana zyrtare duke thënë: “Vendet e Ballkanit po japin një leksion mikpritjeje për emigrantët, që disa vende evropiane e kanë harruar. Nuk duhet të kemi frikë nga emigrantët”. /albeu.com/
Shtuar më 03/11/2015, ora 14:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori