Ne 100 vjetorin e alfabetit, shqipja ende e diskriminuar
Pëlqej
Albeu.com
nga Laura PapranikuTetë vjet nga Marrëveshja e Ohrit, e cila obligon Maqedoninë të sillet si shtet multietnik, 100 vjet nga Kongresi i Manastirit, ku shqiptarët unifikuan Alfabetin e gjuhës dhe një histori e tërë ...... bashkëjetese mes maqedonasve dhe shqiptarëve, nuk kanë mjaftuar që të flaken paragjykimet kulturore dhe gjuhësore ndaj popullatës jo shumicë. Edhe pse shqiptarët përbëjnë çerekun e popullatës së përgjithshme, shqipja jo vetëm se nuk ka përdorim zyrtar në nivel të institucioneve shtetërore, por nuk përdoret si duhet as në nivel lokal. “Shikuar në mënyrë kronologjike shqipja dhe kultura shqiptare në Maqedoni kanë qenë të diskriminuara deri vonë, mirëpo tani po tentohet që të eliminohet ky diskriminimin e, që është diçka shumë pozitive”, thotë Abdulaqim Ademi, nënkryetar i Qeverisë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ademi, pranon e shqipja nuk gëzon trajtim të barabartë me gjuhën maqedonase, mirëpo, thotë se “me Ligjin e gjuhës është vënë një bazë e shëndoshë për avancimin e statusit të gjuhës shqipe”. Ky përgjithësisht ka qenë edhe konstatimi i tribunës “Dallimet gjuhësore dhe roli i pushtetit lokal në kultivimin e tolerancës”, që u mbajt, të mërkurën, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 100 vjetori të Kongresit të Alfabetit. Sipas profesorit Zoran Shapuriq, është shumë e rëndësishëm që paragjykimet të eliminohen, në të gjitha instancat, nëse dëshirojmë integrimin në strukturat euroatlantike. “Tek të gjithë ekzistojë paragjykime, të cilat duhet të tejkalohen sepse përgatitemi të shkojmë drejt integrimeve euroatlantike, ku respektohet multikulturalizmi”, tha Shapuriç. Viteve të fundit, sipas tij, është bërë një përparim i dukshëm, mirëpo ka edhe shumë për të bërë sa i takon tolerancës multikuklturore. Për rastet si Shkupi, Dollneni, Krusheva, apo ndonjë komunë tjetër, ku gjuha shqipe nuk përdoret në asnjë formë, nënkryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëadministrimit Lokal (BNJVL), Nevzat Bejta, thotë se nuk mjafton vetëm presioni i BNJVL-së. “Presioni duhet të bëhet nga Qeveria dhe Gjykata Kushtetuese” pohon ai. Bejta, më tej thotë se “ka ca kryetarë, që ende nuk e kanë çliruar veten nga shovinizmi dhe nacionalizmi, sikurse është kryetari i Qytetit të Shkupit, Trifun Kostovski apo disa të tjerë, të cilët jo vetëm që nuk u shërbejnë kërkesave të qytetarëve por e shkelin edhe Kushtetutën”. Është koha e fundit kur në Maqedoni duhet të hapë një debat të mirëfilltë intelektual dhe politik. “Vetëm nëse mësohemi që dallimet e njëri tjetrit ti shohim si vlerë, apo përparësi dhe jo si hendikep, vetëm atëherë mund të themi se jemi një shtet multietnik, i barabartë për të gjithë”, vlerëson Rizvan Sueljamni, drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Interkulturore.


Posta promovoi pullën e Alfabetit
25 mijë pullat postare, me motive nga Kongresi i Alfabetit, të cilat i ka lëshuar në përdorim Posta e Maqedonisë, sipas drejtorit Ejup Rrustemi, do të jenë dhuratë jo vetëm për filatelinë vendore dhe botërore por edhe sublimat i një metafore për të gjithë krijuesit e vlerave. Me promovimin e kësaj pulle, Rustemi, beson se Postat i janë bashkëngjitur në mënyrë dinjitoze kremtimit të 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, që sikurse tha ai, nuk duhet konsideruar si eveniment i rëndomtë.

Alfabeti njëra nga 18 pikat
E cilësuar si një përpjekje vigane e patriotëve shqiptarë, të shekullit të XIX, për ta ruajtur dhe afirmuar identitetin kombëtar, Kongresi i Manastirit (1908-2008) nuk është vetëm Kongresi i kodit gjuhësor. Kështu, tha Avzi Mustafa, profesori i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Shkup, duke sqaruar se ajo ngjarje e madhe, ku morën pjesë 50 delegatë dhe 400 përfaqësues të gjitha trevave dhe klubeve shqiptare, është trajtuar nga shtypi i atëhershëm botëror si “Kongresi që mund të shndërrohet në bashkimin politik të shqiptarëve”. Përdorimi i një Alfabeti të vetëm, me shkronja latine ishte vetëm njëra prej 18 pikave të Programit Politik me të cilën përfundoi punimet Kongresi, i udhëhequr nga burrat e shquar të kombit, me në krye Mit’hat Frashërin


Marshim për nder të 100 vjetorit
Një grup prej 20 skautve nga Dibra të mërkurën në mëngjes e filluan marshin dyditësh deri në Manastir, për nder të shënimit të 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, ku është bërë unifikimi i alfabetit shqip. Kryetari i Lidhjes komunale të skautëve Axhi Slova deklaroi se grupi i skautëve nga grupi "Kota", që u nis në këmbë prej Dibrës të enjten do të mbërrijë në Manastir, para përurimit të Shtëpisë përkujtimore të Kongresit.
(LAJM)
Shtuar më 20/11/2008, ora 15:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori