Ndryshon qeveria, lista te Moisiu
Albeu.com
Lista e emrave të ministrave dërgohet në Presidencë. Firma e Moisiut pritet brenda dy ditësh.Lista e anëtarëve të qeverisë “Berisha” u dorëzua në zyrat e kreut të shtetit Alfred Moisiu, pak pas mesditës së djeshme. Presidenti ka shtatë ditë kohë për të bërë dekretimin e saj, por duket se kreu i shtetit nuk do ta shfrytëzojë të gjithë këtë hapësirë kohore. Ai pritet të firmosë shpejt, sipas burimeve, brenda dy ditëve, për të mos vonuar më tej marrjen e pushtetit nga fituesit e zgjedhjeve të 3 korrikut.
Formalisht përbërja e kabinetit të zotit Berisha, i cili u emërua si kryeministër në fundjavë, u prezantua për herë të parë publikisht në forumet drejtuese të Partisë Demokratike, gjatë ditës së diel. Lista, në krahasim me atë të paraqitur për ditë me radhë në shtypin e këtushëm, kishte vetëm dy elementë të rinj, përfshirjen e Jemin Gjanës në qeveri si ministër i Bujqësisë dhe rrokadën mes zotit Aldo Bumçi që përfundimisht mori Ministrinë e Drejtësisë dhe Troshanin, që kaloi te Ministria e Integrimit. Një tjetër ndryshim lista ka pësuar edhe në momentet e fundit, por këtë herë jo mes emrave të Partisë Demokratike, por te lista e aleatëve. Kështu, Thoma Miço, i caktuar nga Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, është zëvendësuar pak përpara dërgimit të listave në Presidencë nga Kosta Barka. Berisha është tashmë në pritje të dekreteve nga presidenti, për të patur mundësi që të kërkojë menjëherë më pas votëbesimin nga Parlamenti, ku ai do të paraqesë edhe programin. Ky moment është hallka që i paraprin betimit të presidenti dhe marrjes së detyrës nga qeveria e re.
Duke pasur parasysh shpejtësinë me të cilin presidenti ka dekretuar mbledhjen e Kuvendit dhe emërimin e Berishës si kryeministër, nuk pritet që ai të bëjë të kundërtën me emrat e 14 ministrave. Kjo pasi seanca më e afrët e Kuvendit është të enjten paradite, dhe në fundjavë Moisiu do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marra pjesë në mbledhjen e Ansamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Një dekretim i qeverisë Berisha të mërkurën dhe çuarja e listës për votëbesim në Kuvend, do t’i hapte rrugë nisjes së punës nga kabineti i ri që këtë javë. Paraqitja e kandidatëve për ministra nga ana e Berishës në Këshillin Kombëtar nuk u shoqërua me asnjë kontestim, përveç mungesës së sekretarit për marrëdhëniet me publikun në PD, Spartak Ngjela. Jashtë qeverisë kanë mbetur ndërkaq edhe figura të tjera me peshë në PD, si Bamir Topi, i cili u përfol deri në momentin e fundit si pjesëtar i saj. Topi do të ruajë të njëjtin post që ka pasur edhe në opozitë, atë të kryetarit të grupit parlamentar.
Shekulli
Shtuar më 06/09/2005, ora 18:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori