Ndryshon ligji për armët/Ndalohet të qëllosh kur ka protesta si 21 janari
Nisur nga ngjarjet e 21 janarit 2011 ku mbetën të vrarë 4 protestues si rezultat i plumbave të Policisë mbi protestuesit e majtë, qeveria e re ka ndryshuar ligjin për përdorimin e armëve të zgjarrit. Portali Albeu ka siguruar draftin e ri në të cilin do t'i ndalohet tashmë punonjësve të policisë që të qëllojnë në ajër kur zhvillohen protesta.
“Përdorimi i armëve të zjarrit për të shmangur një rrezik publik, që paraqet një tubim i dhunshëm personash, duhet të bëhet në përputhje me parashikimet e këtij ligji. Përdorimi i armëve të zjarrit është i lejueshëm vetëm kundër personave të veçantë të armatosur, të cilët kryejnë vepra të dukshme dhune kundër jetës së personit apo shërbimeve të policisë dhe shërbimeve që kryejnë subjektet e tjera që mbajnë dhe përdorin armë, kur përdorimi i masave të tjera shtrënguese nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara. Ndalohet të qëlluarit në ajër me armë zjarri mbi turmën si një mënyrë për shpërndarjen e saj”, theksohet në projektligjin e ri të qeverisë.

Risi është neni 4, i cili përcakton kushtet e përdorimit të armës vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme dhe vetëm si mjet i fundit për të parandaluar ose neutralizuar veprimet e dhunshme të rrezikshme të personit me rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e personave të tretë, kur mjetet e tjera nuk kanë dhënë rezultat ose nuk premtojnë arritjen e objektivave të ligjshme të detyrave funksionale. Shmangia e një rreziku për jetën nëpërmjet përdorimit të armëve të zjarrit duhet të jetë në proporcion me shkallën e rrezikshmërisë së veprimeve të një personi dhe nuk duhet të përbëjë shak për kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme apo nevojës ekstreme për situatën e paraqitur./albeu.com/
Shtuar më 19/06/2014, ora 19:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori