Ishin kthyer në makth për pushuesit në bregdet, goditet grupi i hajdutëve të vilave, dy në pranga (VIDEO)

Policia ka goditur një grup criminal që grabiste vila në bregdet. Si rezultat ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një të tretë.

Të tre shtetasit, me precedent të theksuar kriminal për vjedhje, brenda dhe jashtë vendit.

Ky grup, në vitin 2022, ka kryer dhe tre vjedhje në banesa, në Dhërmi, Borsh e Himarë, ku ka marrë shuma të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende me vlerë.

Gjithashtu, dyshohet se ky grup ka kryer dhe disa vjedhje të tjera në vila dhe në banesa, në zona bregdetare.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Piketat”, nga Policia e Himarës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, për goditjen e një grupi kriminal me veprimtari në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Zbardhen vjedhjet në 3 vila, në Dhërmi dhe në Golem, Kavajë.

Goditet një grup kriminal që kryente vjedhje me armë dhe dhunë, në qytete të ndryshme të vendit.

Vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Të tre shtetasit, me precedent të theksuar kriminal për vjedhje, brenda dhe jashtë vendit.

Ky grup, në vitin 2022, ka kryer dhe tre vjedhje në banesa, në Dhërmi, Borsh e Himarë, ku ka marrë shuma të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende me vlerë.

Gjithashtu, dyshohet se ky grup ka kryer dhe disa vjedhje të tjera në vila dhe në banesa, në zona bregdetare.

Para vjedhjeve, pjesëtarët e grupit kriminal shkatërronin kamerat e sigurisë, që të mos identifikoheshin.

Sekuestrohen një sasi e konsiderueshme parash (euro, dollarë, paund, franga zvicerane dhe lekë), një automjet që autorët e përdornin për të lëvizur dhe veshjet e përdorura gjatë vjedhjeve.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Himarë, menjëherë pas njoftimit të marrë për vjedhjen në dy vila në një kompleks banesash në pronësi të shtetasve A. D. dhe L. D., si dhe tentativën për vjedhje në një banesë në afërsi të kompleksit, në orët e para të mëngjesit të datës 22.07.2023, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë kryer hetime të thelluara proaktive për zbardhjen e këtyre rasteve.

Si rezultat i punës hetimore, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Himarë bënë të mundur zbardhjen e këtyre rasteve dhe identifikimin e pjesëtarëve të një grupi kriminal që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e vjedhjeve.

Pas sigurimit të provave dhe lokalizimit të pjesëtarëve të grupit kriminal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës,  organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Piketat”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u ndaluan shtetasit:

S. K., 31 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë dhe me armë;

S. G., 22 vjeç, banues në Durrës, me precedent të mëparshëm për vjedhje.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 33 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 3180 euro, 100 franga zvicerane, 140 dollarë, 110 paund, 10 000 mijë lekë të rinj, një automjet tip “Smart”, 3 celularë dhe veshjet e përdorura nga autorët, gjatë vjedhjeve.

Në vijim të operacionit u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i vjedhjes në banesën e shtetasit A. H., në Golem, Kavajë, vjedhje e kryer dy ditë më parë, po nga pjesëtarët e këtij grupi, të cilët kanë marrë një shumë të konsiderueshme vlerash monetare në euro, paund, dollar dhe lekë.

Nga veprimet hetimore rezulton se ky grup, në të njëjtën periudhë të vitit 2022, ka kryer 3 vjedhje në banesash në fshatrat Dhërmi, Borsh dhe Himarë, ku ka marrë sasi të konsiderueshme vlerash monetare dhe sendesh me vlerë, konkretisht:

– Në datën 11.08.2022, kanë vjedhur në banesën e shtetasit V. B., në Himarë;

– Në datën 21.08.2022, kanë vjedhur sende dhe vlera monetare në një hotel në pronësi të shtetasit D. Sh., në fshatin Borsh;

– Në datën 21.08.2022, kanë vjedhur vlera monetare dhe sende me vlerë, në vilën e shtetasit K. N., në një kompleks banimi në fshatin Dhërmi.

Vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të vilave dhe banesave të kryera nga ky grup dy vitet e fundit.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim./albeu.com


Shtuar 25.07.2023 09:58