Ndryshimet në statutin e PS, Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet nga asambleja
Statuti i ri që u miratua të shtunën në Kongres kishte pësuar ndryshime sa i takon autoritetit të Sekretarit të Përgjithshëm, duke e bërë atë një institucion pa shumë pushtet. Ndryshimet janë bërë pak para se statuti të shkonte në shtypshkronjë, pas propozimeve të bëra nga kryetari i PS-së, Edi Rama.

Drafti i parë i statutit që iu paraqit Asamblesë Kombëtare përcaktonte se Sekretari i Përgjithshëm zgjidhej nga Kongresi i partisë, ndërsa më parë duhej të kishte marrë mbështetjen e 5% të delegatëve të Kongresit dhe se duhej të kishte jo më pak se 10 vjet si anëtar partie.

"Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste zgjidhet nga Kongresi zgjedhor i PS dhe është përgjegjës për drejtimin dhe funksionimin organizativ të partisë”, thuhej në draftin e parë, ndërsa në atë që u miratua të dielën thuhet se "Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e Asamblesë Kombëtare".

Që të zgjidheshe Sekretar i Përgjithshëm në Kongres, kërkohej mbështetja e delegatëve të këtij Kongresi. "Kandidatët për Sekretar të Përgjithshëm të partisë duhet të kenë të paktën një mandat si anëtar të Asamblesë Kombëtare ose të jenë mbi 10 vjet anëtarë të partisë. Prezantimi i kandidaturës së Sekretarit të Përgjithshëm duhet të ketë mbështetjen e 5% të delegatëve të Kongresit. Asnjë prej kandidatëve nuk duhet të ketë mbështetjen e më shumë se 10% të delegatëve", thuhej në draftin e parë që iu paraqit Asamblesë Kombëtare.

Por drafti i ri i bën më të lehta kriteret për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm. "Kandidati për Sekretar i Përgjithshëm i partisë propozohet nga kryetari i Partisë Socialiste, ndërsa kandidatët alternativë duhet të sigurojnë mbështetjen e 10% të anëtarëve të Asamblesë", thuhet në nenin 45 të statutit të ri.

Se përse u bënë këto ndryshime, kjo do të kuptohet më mirë në mbledhjen e parë të Asamblesë Kombëtare, kur të dalin edhe kandidatët për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, për të cilin janë pakësuar kriteret për t’u zgjedhur, por dhe autoriteti në parti. Në këtë logjikë janë ndryshuar edhe detyrat e Sekretarit të Përgjithshëm. Statuti i ri që u miratua në Kongres përcakton në pikën 2, germa b të nenit 45 që “Sekretari i Përgjithshëm koordinon Sekretariatin Ekzekutiv”.

Ndërsa në draftin e mëparshëm, atë që u miratua në Asamblenë Kombëtare, thuhej se “Sekretari i Përgjithshëm drejton Sekretariatin Ekzekutiv”. Burime pranë grupit të punës për përgatitjen e projektstatutit thanë dje se rikthimi i postit të Sekretarit të Përgjithshëm në Partinë Socialiste lidhet me domosdoshmërinë e angazhimit të një individi me shumë njohje dhe mbështetje në këtë parti, veçanërisht gjatë kohës që kryetari i saj është kryeministër dhe merret me punët e qeverisë.

Në këto kushte, kryetari në hije i Partisë Socialiste, i cili do të merret me punët e partisë, do të jetë Sekretari i Përgjithshëm, megjithatë ai është lënë me më pak pushtet në PS, duke dhënë të gjitha kompetencat drejtuese kryetarit të saj. Partia Socialiste e kishte këtë funksion deri në vitin 2011, kur u bë statuti i ri dhe PS-ja ishte në opozitë.

Gjatë kohës së opozitës, kryetari i Partisë Socialiste ishte i angazhuar me kohë të plotë vetëm me punët e partisë, ture, fushata, takime etj., dhe nuk kishte nevojë për të pasur edhe një numër dy me detyra dhe kompetenca partiake. /albeu.com/
Shtuar më 21/03/2016, ora 08:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori