Ndryshimet në rezolutën për Kosovën
Albeu.com
Fuqitë e Mëdha modifikojnë dokumentin që do të paraqitet në Këshillin e Sigurimit. Hiqet termi "miratohet rezoluta" dhe vendoset fjalia "përkrahet plani Ahtisaari".Projektrezoluta mbi Kosovën, e paraqitur nga Britania e Madhe dhe e bashkësponsorizuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me vendet e Evropës Perëndimore në Këshillin e Sigurimit, ka bërë disa lëshime në tekstin e ri mbi bazë të kërkesave të Rusisë, ndërkohë që zyrtarët e saj i quajtën ato të një rëndësie të vogël dhe vazhduan të kundërshtojnë planin e Martti Ahtisaarit si të papranueshëm. Në tekstin e modifikuar, "miratohet
rezoluta" zëvendësohet me "përkrahet plani i Ahtisaarit", pastaj kërkohet emërimi i një emisari të OKB-së, i cili do ta mbikëqyrë çështjen e kthimit të refugjatëve, por edhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe në rezolutën e re barten edhe disa elemente nga rezoluta 1244, për aq kohë sa do të qëndrojë UNMIK-u në Kosovë. Në fund bëhet thirrje për zbatimin e tërësishëm të planit të Ahtisaarit, i cili i ofron Kosovës një pavarësi të mbikëqyrur.
Pavarësisht, bisedimet dhe konsultimet do të vazhdojnë në nivel të ekspertëve, në përpjekje për gjetjen e një konsensusi të pranueshëm për vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit. Rusia tha se do të dërgojë përfaqësuesin e saj në takim, por si vëzhgues e jo si pjesëmarrës në diskutim, përderisa nuk do të përfshihen propozimet e saj. "Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me rusët dhe të pranojmë ato ide të tyre dhe në atë masë që përputhen me thelbin e planit për Kosovën, të cilin e ka paraqitur Martti Ahtisaari", tha ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad.
Koncesionet që kanë bërë mbështetësit perëndimorë në tekstin fillestar, që u paraqit më 11 maj, janë ndërrimi i fjalëve nga "miraton" në "mbështetje të parashikimeve të planit Ahtisaari", që parasheh pavarësinë e Kosovës; pastaj nga Kosova tani "kërkohet", në vend të "nënvizohet rëndësia e plotësimit të të gjitha obligimeve dhe standardeve demokratike, siç janë specifikuar tash disa vjet nga UNMIK-u dhe Kombet e Bashkuara".
Po ashtu, në tekstin e ri është paraparë edhe emërimi i një emisari ndërkombëtar që do të ndihmonte kthimin e refugjatëve serbë, një propozim ky gjithashtu i Rusisë. "Paraqitja e versionit të projektrezolutës së korrigjuar, për sa na përket ne, nuk ndryshon asgjë", tha ambasadori i Rusisë, Vitalij Churkin. Përkundër dallimeve që janë shfaqur më hapur se ditët e tjera në Kombet e Bashkuara, zyrtarët amerikanë, por edhe ata rusë, kanë folur megjithatë për nevojën e vazhdimit të një debati konstruktiv. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Casey, tha se Shtetet e Bashkuara duan një rezolutë që do të kishte mbështetjen e të gjithëve në Këshillin e Sigurimit dhe që pasqyron fuqishëm "planin Ahtisari",
plan i cili krijon kushtet për një pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.
Uashingtoni edhe njëherë ritheksoi se dëshironte që të votohej për rezolutën javën e ardhshme, mirëpo nëse nuk tejkalohen dallimet ekzistuese, preferohet një shtyrje tjetër para ndeshjes me veto apo me veprime të njëanshme të Amerikës dhe vendeve perëndimore. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Perëndimi po përpiqet që të sigurojë një tekst që do të mbështetet nga të gjitha vendet anëtare, përfshi këtu edhe Rusinë. Gazeta Shqiptare
Shtuar më 02/06/2007, ora 14:59
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori