Ndryshime të reja në ligjin e pensionit
Pëlqej
Pësojnë ndryshime pensioni suplementar, pensioni social dhe derdhja e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore. Sipas vendimit të fundit të qeverisë, sigurimi shoqëror suplementar mbron me të ardhura të gjithë ata persona që ushtrojnë funksione ose detyra të veçanta kushtetuese dhe personat me tituj shkencorë. Gjithashtu merr në mbrojtje punonjësit e shtetit, ushtarakët që shërbejnë në strukturat e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, punonjësit e Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme.

"Kriteret që duhen për sigurim shoqëror suplementar të kategorive, të përfshira në listën e sipërpërmendur do përcaktohen me ligje të veçanta. Pension pleqërie kanë të drejtë të marrin personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92, ligj. Po kështu, marrin pension pleqërie edhe nënat, që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim" thuhet në ligjin e ri për pensionet.

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92, kur kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit të njëjtit nen. Gjithashtu kur nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2014, ora 11:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori