Ndoka: Erdogani ‘neo-otoman’, vasaliteti ndaj tij krim që s’falet
Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, nuk e ka mirëpritur cilësimin e kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan, kur i quan vëllezër shqiptarët. Ai e quan atë në ‘Facebook’, një neo-otoman, ndërsa i kujton se shqiptarët ndjehen krenarë me heroin e tyre Gjergj Kastrioti.

“Vizita e Erdoganit në Kosovë, një tendencë vasaliteti për politikën e jashtme, për interesat ekonomike, për deformimin e identitetit tonë kombëtar dhe atë fetar. Z.Rama kishte mundësitë të kontribuonte që Kosova të ishte me europiane, por zgjodhi që së bashku me Thaçin, të dëshmojnë publikisht që Anadolli është e ardhmja jonë, se Turqia është aleati ynë strategjik!

Sa turp, sa pazar i ulët, sa pa vlerë! Erdoganit ia ka mbyllur dyert Europa, Rama e Thaçi po tentojnë që të tre sëbashku të dëshmojnë forcën e pushtetit të sosur të Anadollit.

Turqit nuk janë vëllezërit tanë. Flirtimi me pushtuesin osman, siç thotë Ismail Kadare, ishte mëkati më i pafalshëm i shqiptarëve. Flirtimi me Erdoganin, që kërkon ta kthejë Turqinë në kufijtë e dikurshëm të Perandorisë Osmane është një mëkat i pafalshëm për politikanët tanë.

Shqiptarët krenohen me Gjergj Kastriotin dhe Nënë Terezën, jo me Ballaban Pashën, vezirët dhe vasalët e tjerë të Anadollit. E ardhmja jonë si komb është Europa, është dera e Brukselit. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të kalojnë nga Anadolli për në Bruksel.

Është fyerje dhe poshtërim për rilindasit tanë që projektuan Shqipërinë europiane, është krim që s’do t’u falet kurrë vasalëve të rinj, që sot u falen të përulur para neo-otomanit Erdogan”, - shkruan Ndoka në “FB”. /albeu.com/
Shtuar më 24/10/2013, ora 09:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori