Ndodh edhe kështu në Shqipëri! Gruaja rreh dhe përze nga shtëpia burrin
Pëlqej
Më rreh ish-gruaja! Ka një vit e gjysmë që më ka përzënë nga shtëpia, ku jeton me dy djemtë.

Më ka degjeneruar në publik, më ka lënë jashtë banesës, nuk kam asnjë mundësi ku të shkoj të strehohem dhe të qëndroj.

Ato që ajo thotë në media nuk janë të vërteta, por e bën me qëllim që të më mbajë mua larg prej fëmijëve dhe prej banesës që e kemi përfituar së bashku.

Ish-gruaja ka mashtruar opinionin publik, gjykatën dhe policinë, të gjithë i ka mashtruar, me qëllimin e vetëm që të më mbajë mua larg”.

Kështu deklaroi dje Fatmir Murrizi, ish-bashkëshorti i Bukurie Dervishit, 44-vjeçares e cila po rrit dy djem të sëmurë me hidrocefali dhe zhvillim të vonuar mendor në banesën sociale të dhënë nga Bashkia Durrës.

Fatmiri pohoi se ka dy urdhra mbrojtjeje nga ish-gruaja, sepse është ajo që ushtron dhunë ndaj tij, por se institucionet i kanë dhënë asaj të drejtë, pa marrë parasysh situatën e tij.

Gjithashtu, ai tha se “16 vjet më parë, kur u martova me Bukurien, ka pasur në pronësi disa dyqane, të cilat i shitëm për të kuruar djalin e madh, që vuan nga sëmundja e hidrocefalisë, por paratë u mbaruan e djali nuk u shërua.

Pasi u mbaruan paratë, nisi edhe sherri”. Ndërkaq, 50-vjeçari Murrizi u shpreh se do t’u qëndrojë pranë djemve të tij. Gjykata i ka dhënë të drejtë të jetojë në një prej dhomave të banesës sociale, por ish- gruaja nuk e lejon të jetojë në të njëjtën çati me anëtarët e tjerë të familjes.

Ai nuk punon, nuk ka banesë, por fle ku ta zërë nata, nuk ka të ardhura dhe nuk ka mundësi as të shohë djemtë. “Nuk jam në gjendje të punoj në këtë situatë ku jam katandisur. Kam punuar ku kam gjetur, tani jam pa punë.

Dua vetëm të hyj në shtëpi, pasi kam mbetur rrugëve. Nuk kam ku të shkoj të fus kokën, të lahem apo të rri. Jam durrsak i vjetër, u martova me gruan e gabuar, ndaj dhe kam përfunduar në këtë gjendje. Ish-gruaja ime është jashtë logjike. Më akuzon mua për të çmendur, por ajo duhet të kurohet. Unë djemtë i dua, dua të qëndroj me ta.

Banesën sociale ku ajo jeton e ka falë meje, pasi unë kam qenë te ministrja Gjermeni, te drejtoresha e Strehimit në Tiranë, në bashki e kudo. Shtëpia është 2+1 dhe 2 banja. Unë dua të futem në shtëpinë që përfitova.

Kur morëm shtëpinë dhe u futëm brenda, Bukuria më nxori në rrugë të madhe”, – u shpreh Fatmir Murrizi. Nga ana tjetër, pas divorcit, Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit i ka dhënë të drejtë të jetojë në një prej dhomave të banesës sociale që kanë përfituar, por aty nuk mund të jetojë, pasi ish-bashkëshortja Bukuria, sa herë që Përmbarimi u troket në derë për të ekzekutuar vendimin, deklaron se do të kryejë vetëvrasje duke u hedhur nga kati i tretë i apartamentit ku jeton me dy djemtë. /GSH/
Shtuar më 17/10/2017, ora 10:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori