Ndihma nga qeveria e Austrisë dhe Sllovenisë për shërbimin zjarrfikës
Qeveria austriake dhe ajo sllovene i dhuruan Shërbimit Zjarrfikës 15 motopompa si dhe 15 motosharra. Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre pajisjeve në Repartin e Zjarrfikësve në Tiranë ishte i pranishëm zv/ministri i Punëve të Brendshme, Stefan Çipa dhe ambasadorët e vendeve dhuruese.

Duke u ndalur te përmbytjet e fundit në vend, zv/ministri Çipa deklaroi se për përballimin e tyre u angazhua e gjithë infrastruktura e shtetit.

"Gjatë fillimit të muajit nëntor, në të gjithë territorin e Shqipërisë pati një situatë emergjente. Nga data 7-11 nëntor, si rezultat i shirave të vazhdueshëm, disa lumenj shkaktuan dëme në pothuajse gjithë territorin e Shqipërisë.

U bëj thirrje të gjitha strukturave shtetërore, por edhe biznesit privat të ndihmuar në kapërcimin e kësaj situate. Prioritet ka qenë shpëtimi i jetëve njerëzore, më pas edhe pastrimi i të gjitha banesave dhe kthimi në normalitet për t’u rikthyer këto familje në shtëpitë e tyre”, tha zv/ministri i Brendshëm, Stefan Çipa.

Këto pajisje u dhuruan pas kërkesës për ndihmë që Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, i bëri Qendrës Europiane të Koordinimit të Përgjigjes për Emergjenca.

Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në Tiranë, Lea Stançiç, tha se "Sllovenia ka një bashkëpunim shumë të mirë me Shqipërinë dhe me kontributin tonë i cili është modest, shpresojmë që këto pajisje do të përdoren në zonat e prekura".

Sipas zv/ministrit të Brendshëm Çipa, pajisjet do të jenë një aset i rëndësishëm në përballimin e përmbytjeve.

"Shteti austriak dhe shteti slloven iu përgjigjen kësaj thirrjeje, duke dërguar dhe këto pajisje që janë rreth 15 pompa për thithjen e ujit dhe 15 motosharra.

Ato do u shpërndahen të gjitha njësive vendore dhe do jenë në shërbim për pastrimin e ujërave nga godinat, të aluvioneve që kanë dëmtuar rrugët e kanalet, dhe do vijojë dhe në të ardhmen", theksoi ndër të tjera zv/ministri i Brendshëm, Stefan Çipa. /albeu.com/
Shtuar më 24/11/2016, ora 14:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori