Ndërtimi i stadiumit, AK: Berisha e meriton “topin e zi të mashtrimeve”
Aleanca Kuq e Zi ka vijuar edhe sot fushatën për inaugurimin e mashtrimeve të kryeministrit Sali Berisha. Ndalesa e radhës për kuqezinjte ishte stadiumi “Qemal Stafa”.



Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Aleancën Kuq e Zi, Rezar Balla, deklaroi nga stadiumi “Qemal Stafa” se Aleanca Kuq e Zi po pret shiritin e stadiumit të ri kuqezi, që nuk u ndërtua nga qeveria.

“Një stadium i premtuar nga Sali Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë, po që në jemi të bindur që premtimi i Sali Berishës nuk do të bëhej realitet as në vitin 2112, në 200 vjetorin e pavarësisë, sepse shqiptarët tashmë janë mësuar me mashtrimet elektorale të Sali Berishës. Me miliona euro u shpenzuan për projektin e stadiumit të ri kuqezi, por asnjë euro për 1 tullë nuk është hedhur konkretisht,” deklaroi Balla.

Më tej Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun u shpreh se: “Sali Berisha e meriton “topin e zi të mashtrimeve”, pasi me stadiumin e ri kuqezi ai mashtroi me mijëra tifozë, por kjo nuk është çudi, madje do ishte çudi nëse stadiumi do të ndërtohej. Sepse për 23 vjet Berisha nuk ndërtoi asnjë stadium në asnjë qytet të Shqipërisë, sepse ai i sheh stadiumet si sheshe për ndërtimin e pallateve, lokaleve dhe dyqaneve klientelistë”.

Duke vijuar më tej Balla tha se Aleanca Kuq e Zi në programin e saj qeverisës për sektorin e sportit ka të programuar dhe detajuar ndërtimin e tre stadiumeve olimpike brenda 4 vjeçarit të parë të qeverisjes kuqezi.

“Sporti është një ndër prioritetet e qeverisjes kuqezi si instrumenti i duhur për të rikthyer në identitet shoqërinë shqiptare, e cila është politizuar dhe polarizuar në çdo aspekt të saj. Në stadiumin e ri kuqezi që do të ndërtohet, Sali Berisha nuk do të lejohet të hyje sepse ai do t’i përkasë tifozëve dhe jo politikës,” tha Balla. /albeu.com/
Shtuar më 10/01/2013, ora 12:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori