Ndërron jetë një tjetër mjek shqiptar, kolegët mesazhe ngushëllimi
Mjeku, Fatos Zaçe ndahet nga jeta pas një “lufte” të vështirë me Covid-19.

Urdhri i Mjekut Durrës shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekut, ku edhe shkruan: “Covid-i i frikshëm na rrëmbeu një nga specialistët tanë të shkëlqyer”.

Reagimi:

Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të mjekut ligjor, doktor Fatos Zaçe, pas një lufte të vështirë për të përballuar Covid -19, në një nga spitalet e Madridit.

Një lajm i hidhur për bluzat e bardha, na dërgon bashkëshortja e tij, doktoreshë Dhurata Zaçe.

Doktor Fatos Zaçe u lind në një familje qytetare korçare. Mbaroi fakultetin me rezultate të larta. Më pas filloi profesionin e bukur të mjekut, larg Korçës, në Kukësin e largët. Aty punoi me përkushtim dhe humanizëm të lartë, për 11 vite rradhazi në Pediatri.

Dashuria dhe mirënjohja e qytetarëve të Kukësit do e shoqëronin gjer sa dha jetën. Aty krijoi dhe familjen me bashkëshorten, doktoreshë Dhuratën. Më pas u specializua në shërbimin e Mjekësisë Ligjore. Ai punoi në spitalin e Elbasanit dhe për gati 20 vitet e fundit në Durrës. Para një viti doli në pension dhe shkoi të banojë në Madrid tek vajzat e tij.

Doktor Fatosin do ta kujtojmë si një mjek të përkushtuar, studiues e pasionant në detyrë, i ndershëm në specialitetin e vështirë të mjekut ligjor. Ai ishte bashkëshort e prind shembullor, i dashur me kolegët. Urdhëri i Mjekut, Durrës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes së tij doktoreshë Dhuratës, fëmijëve, kolegëve.

Covidi i frikshëm na rrëmbeu një nga specialistët tanë të shkëlqyer. Lamtumirë doktor Fatos Zaçe.

U prehsh në paqe! I paharruar qoftë kujtimi i tij!
Shtuar më 13/02/2021, ora 12:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori