Vetëm 6 ditë larg nga dasma, Eduart Grishaj zbulon sa veta do jenë të ftuar dhe kush do të këndojë

Eduart Grishaj zbuloi disa nga detajet e dasmës së tij me moderatoren Arbana Osmani, dasmë kjo e shumëpërfolur, e cila do të zhvillohet të shtunën e ardhshme.

Regjisori zbuloi vendin, sa të ftuar janë, kush do të këndojë dhe sa do të zgjasë dasma.

Çifti kanë zgjedhur Toskanën e Italisë për dasmën e tyre, pasi siç tregon Grishaj është edhe një nga vendet e tyre të preferuara.

“Filmin e mbyllën, Big Brother e mbyllëm, fëmijët i bëmë, tani bëjmë edhe dasmën. Thamë ta bëjmë edhe gocën që mos thotë goca: ‘Për një pjatë nuk më thërritët në dasmë”, tha ai.

“Unë edhe Arbana lëvizim goxha dhe një nga vendet tona të preferuara është edhe Toskana. Janë ca kodra shumë të bukura, është ushqimi që na pëlqen shumë, verën e kanë shumë të mirë dhe donim që me rrethin e ngushtë, që ne kemi thërritur te dasma, ta ndajmë këtë eksperiencë dhe ta bëjmë atje”, tregoi Eduarti në “E diell”.

Çfarë ka një episod dasma jote që është e veçantë?

Grishaj: Të gjithë njerëzit që janë të ftuar në dasmë unë i njoh. Vëllai im ka bërë një dasmë që ka pas 400 veta dhe 70% të tyre nuk i dinim fare se kush janë. Ne nga veriu thërrasim në dasmë një që ka pas thërritur babën dikur, ka pas shok gjyshin, dhe e kemi ndarë këtë gjë dhe kemi thërritur njerëzit e afërm.

Sa veta janë të ftuar në dasmë?

Grishaj: Nuk janë shumë 120 veta bashkë me stafin.

Kush do këndojë?

Grishaj: I pari që do këndoj jam unë. Nga 120 veta që janë në dasmë rreth 50 janë këngëtarë, do këndojnë shumë veta. Do bëjmë dhe një ceremoni në kishë. Ato kishat janë shumë interesante dhe historike, janë shumë të bukura dhe do bëjmë edhe ceremoninë e kurorës në një nga kishat. Nuk është se na ka lodhur siç të lodhin dasmat përgjithësisht, por pjesën më të madhe të punës ia kam lënë Arbanës.

Sa do zgjasë dasma?

Grishaj: Besoj tre ditë.

E ka kuruar Arbana më shumë apo ti?

Grishaj: Arbana, kur është puna për të kuruar këto gjërat familjare, Arbana i bën perfekt.


Shtuar 11.06.2023 22:59