Arrestohet “bosi” që shpërndante drogë në Berat

Një 34-vjeçar është arrestuar në Berat, pasi akuzohet se shiste drogë nëpër qytet. Uniformat blu bëjnë me dije se 34-vjeçari ua shiste drogën shtetasve të tjerë, për ta shpërndarë në doza.

Policia i sekuestroi 34-vjeçarit 706 gramë kokainë , e cila u gjet në banesën e tij.

Gjithastu janë proceduar penalisht 4 shtetas që bashkëpunonin me 34-vjeçarin dhe e shpërndanin kokainën në qytetin e Beratit.

Njoftimi i Policisë

Berat/Finalizohet pas një hetimi disamujor, me metoda proaktive, operacioni policor antidrogë i koduar “Uznova”, për goditjen e një rasti të shitjes së drogave të forta.

Kapet dhe vihet në pranga një 34-vjeçar që siguronte lëndë narkotike kokainë dhe ua shiste shtetasve të tjerë, për ta shpërndarë në doza.

Sekuestrohen 706 gramë kokainë që u gjetën në banesën e këtij shtetasi.

Procedohen penalisht 4 shtetas që bashkëpunonin me 34-vjeçarin dhe e shpërndanin kokainën në qytetin e Beratit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbështetur dhe nga inteligjenca informative për disa shtetas që shpërndanin lëndë narkotike, në zona të ndryshme të Beratit dhe në ambiente të ndryshme, referuan materialet në Prokurorinë Berat, e cila regjistroi procedim penal, me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Pas një hetimi disamujor me metoda proaktive, të kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë, u ushtrua kontroll në banesat e 5 shtetasve, ku u gjetën dhe u sekuestruan sasi të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua shtetasi E. Sh., 34 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, Berat, pasi në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan rreth 706 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. N., 37 vjeç, E. N., 46 vjeç, S. S., 32 vjeç dhe M. N., 44 vjeç, të gjithë banues në lagjen “Uznovë”, Berat, pasi gjatë kontrollit në banesat e tyre u gjetën dhe u sekuestruan sasi të vogla kokaine.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi E. Sh. siguronte kokainën në sasi dhe më pas ua shiste 4 shtetasve të tjerë, që ta shpërndanin në doza, në zona të ndryshme në qytetin e Beratit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme./albeu.com/


Shtuar 26.07.2023 12:40