Ndarja e re administrative, Hoti: Zona funksionale, kriteri bazë për pesë variantet
Zona funksionale është kriteri bazë mbi të cilin është mbështetur qeveria në hartimin e pesë varianteve të propozuara Kuvendit për hartën e re administrativo-territoriale. Pesë hartat e paraqitura dje para komisionit të posaçëm përcaktojnë ndarje administrative që shkojnë nga 30 njësi vendore (varianti i parë) deri në 63 njësi, varianti i fundit.

Enea Hoti, këshilltar i ministrit për Çështjet Vendore, tha sot në një intervistë televizive se krijimi i zonave funksionale ose njësia e ardhshme duhet të jetë e aftë të gjenerojë të ardhura, të ketë hapësirë zhvillimi dhe një ndërveprim të dendur ekonomik, institucional, social dhe kulturor.

“Pesë variantet shkojnë me ndarje nga 30 në 63 njësi, por që të gjitha i plotësojnë kriteret. Diku plotësohet më mirë kriteri ekonomik, diku kriteri i distancës së territorit apo periferisë. Ideja si kemi arritur tek harta është zbatimi i kritereve teknike të miratuara nga komisioni, ku kriteri i parë, prioritar i zbatuar është e quajtura ‘zonë funksionale’, e konsideruar si pol zhvillimi dhe që ka një ndërveprim të dendur për qëllime ekonomike, shërbime sociale, zhvillimore, kulturore, etj’, tha Hoti.

Po ashtu, grupi i ekspertëve që punoi për këtë ndarje administrative ka përcaktuar numrin prej 30 mijë banorësh, si numër reference për madhësinë që duhet të ketë njësia e re vendore.

Këshilltari Hoti thotë se është parë dhe kriteri i lidhjeve tradicionale, që duhet të kenë njësitë me njëra-tjetrën, si dhe vazhdimësia territoriale, që duhet të tregojë kompaktësi nga pikëpamja e territorit.

Javën e ardhshme komisioni i posaçëm do të mblidhet për të përzgjedhur një nga pesë variantet e propozuara për ndarjen e re territoriale. Ky variant më pas do të konsultohet për rreth dy muaj me përfaqësues të pushtetit vendor dhe të shoqërisë civile.
Shtuar më 17/05/2014, ora 20:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori