Ndërkombëtarë do ta ndriçojnë atentatin ndaj Ahmetit
Albeu.com
“Hë për hë ne kemi menduar që OSBE-ja duhet të ketë bërë raport por në këtë drejtim janë duke punuar ekspertë juridik të BDI-së për të kompletuar tërë dosjen.“Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Refet Elmazi qëndrojnë pas atentatit ndaj meje. Të gjitha faktet flasin se Thaçi është fajtor bashkë me Elmazin”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai këto komente i bëri të martën në komunën e Çairit ku u bë hapja solemne e sallës së këshillit të kësaj komune. “E kam përcjellë tërë situatën. Atentati është përgatitur në mënyrë profesionale që tani të humben gjurmët”, tha Ahmeti. Sipas tij, të gjitha argumentet janë të qëndrueshme dhe të njëjtat i posedon edhe hetuesia. “Hetuesia nuk duhet të jetë nën presion të organeve politike qoftë të Thaçit apo të Elmazit. Hetuesia duhet ta thotë të vërtetën”, tha kreu i BDI-së. Ahmeti nuk e përjashtoi mundësinë që në zbardhjen e atentatit ndaj tij ftojnë edhe ekspertë ndërkombëtarë. “Hë për hë ne kemi menduar që OSBE-ja duhet të ketë bërë raport por në këtë drejtim janë duke punuar ekspertë juridik të BDI-së për të kompletuar tërë dosjen. Sigurisht do të kërkojnë edhe ekspertë ndërkombëtarë që do t’iu ndihmonte në këtë drejtim”, tha ai. Ahmeti bëri të ditur se në ekspertizë të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të OSBE-së. “Bashkë me OSBE-në kemi bërë fotografimet. Tërë dosjen e kemi të kompletuar. Janë përdorë armë zjarri, janë të dëmtuara 6 vetura dhe arsyetimet që i jep Thaçi se vetura ime nuk është lënë për ekspertizë nuk qëndron, sepse ekspertizë është bërë edhe ndaj makinës time”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai gjithashtu kërkoi nga kryeministri në dorëheqje të ushtrojë kontroll mbi organet e pushtetit, dhe të mos lejojë që në të ardhmen të ndodhin akte të tilla. Ahmeti tha se me 1 qershor zgjedhjet duhet të jenë korrekte, të lira dhe pa dhunë. Ai tha se në këtë drejtim duhet angazhim serioz i shtetit dhe përgjegjësia për çka do që do të ndodhë do të bie mbi shtetin. Ndërkohë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi i hedh poshtë si të pabaza akuzat e Ahmetit. Në një deklaratë për TV Top Channel, Thaçi tha se nuk ka pasur kurrfarë atentati ndaj kryetarit të BDI-së. “S’ka pasur kurrfarë atentati, ka pasur dy çuna të cilët në mënyrë të padrejtë të parregullt kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me provokimin që ka bërë zoti Ahmeti dhe partia e tij në një fshat i cili është problematik për ata. Ka fshatra që janë problematik edhe për mua siç është Brodeci dhe Tanusha dhe unë nuk shkoj atje që t’i provokoj njerëzit me forca me trup roje me lloj - lloj njerëzish rreth vetes. Sigurisht që nuk ka pasur kurrfarë krismash ndaj tij. Njerëzit që janë të implikuar në atë incidente shumë shpejtë janë arrestuar”, është kundërpërgjigjur Menduh Thaçi. (nga Bekim Buci, lajm)
Shtuar më 28/05/2008, ora 16:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori