Ndalohet drejtori i Tatimeve, rimbursoi 100 milionë lekë kompaninë e djalit të motrës
Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e Drejtorit Rajonal të Tatimeve, Hysen Hysaj, i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Urdhëri i ndalimit u zbatua nga ana e forcave të Policisë Vendore, Shkodër.

Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se shtetasi Hysaj ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në shumën mbi 10 milionë lekë të reja, për subjektin tregtar “H...”shpk.

Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se shoqëria “H...” shpk, me administrator shtetasin M.H, i cili është djali i motrës së drejtorit rajonal të Tatimeve Shkodër, kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së.

Në bazë të legjislacionit fiskal, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit, duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së.

Në rastin konkret, shoqëria “H...”shpk nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje në vitin 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Nga ana e administratës tatimore, rezulton se nuk është kryer asnjë verifikim për kërkesën e subjektit, si edhe nuk është ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij.

Po ashtu, subjekti “H...” shpk nuk është shpallur debitor nga administrata tatimore për borxhin doganor, detyrim ky që lidhet me verifikimin për rimbursimin e TVSH-së.

Pavarësisht këtyre mosveprimeve të administratës tatimore, nga ana e Prokurorisë së Shkodrës janë krijuar dyshime të arsyeshme se drejtori rajonal i Tatimeve ka favorizuar subjektin tregtar, duke i rimbursuar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e TVSH-së, në shifrën mbi 10 milionë lekë të reja.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Hysen Hysaj, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. /albeu.com/
Shtuar më 13/06/2016, ora 12:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori