Nazime Visha e punësuar si kuzhiniere e burgut
Të tjera detaje kanë dalë në dritë mbi Nazime Vishën, e cila po vuan dënimin pas vrasjes së Fiqiri Muçës në vitin 2012. Gjatë vuajtjes së dënimit, ajo nuk ka shfaqur rrezikshmëri. Ajo ka një komunikim te mire me personelin e institucionit, por jo vetëm. Një tjetër detaj interesant është fakti se ajo është punësuar si kuzhiniere e burgut "Ali Demi", ku edhe po kryen dënimin.

Gjykata e Tiranës ka zbardhur arsyetimin e vendimit që i uli 3 muaj nga dënimi i mbetur Nazime Vishës, 22 vjeçares së dënuar me 10 vjet burg për akuzën e “vrasjes me paramendim”.

Ajo figuron të jetë pjesë e organikës së punës në mensën e burgut “Ali Demi”, ku po kryen dënimin. Gjykata pranoi kërkesën e Nazime Vishës për ulje dënimi më 25 shkurt. Sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit nga ana e 22 vjeçares, asaj i kanë mbetur edhe 3 vjet e 6 muaj heqje lirie.

“Sipas vlerësimit të sjelljes së të dënuarës, bërë nga Drejtoria e IEVP "Ali Demi", nr.325, Tiranë, rezulton se e dënuara ka ardhur në këtë burg më datë 16.12.2013.

Gjatë kohës së qëndrimit në burg, e dënuara ka shfaqur sjellje pozitive dhe është përshtatur mirë me jetesën në institucion. Zhvillon një komunikim të mirë me personelin e institucionit, duke respektuar të gjitha normat e etikës.

Ka manifestuar sjellje të mirë dhe korrekte me bashkëvuajtëset, duke zhvilluar një komunikim normal. Nuk ka tentuar më parë të largohet pa leje, apo nuk është larguar nga vendi i qëndrimit të saj të detyruar.

Nuk ka mbajtur ose shpërndarë sende të cilat mund të përdoren për të dëmtuar jetën. Nuk ka kryer aktivitete të tjera që bien në kundërshtim me Rregulloren e përgjithshme të burgjeve, si dhe rregulloren e brendshme të IEVP.

E dënuara Nazime Visha merr pjesë rregullisht në aktivitetet rehabilituese të zhvilluara në IEVP "Ali Demi". E dënuara është pjesë e organikës së punës në mensën e institucionit. Merr pjesë në këshillimet individuale dhe bisedat në grup, merr pjesë në të gjitha veprimtaritë e zhvilluara në institucion.

Merr pjesë në aktivitetet fetare, ka marrëdhënie shumë të mira me familjarët, takime të rregullta me ta dhe ka përfituar edhe leje shpërblyese. Shprehet e penduar për veprën penale të kryer. Gjatë vuajtjes së dënimit nuk ka paraqitur rrezikshmëri”, citon raporti vlerësues në vendimin e gjykatës. /albeu.com/
Shtuar më 11/03/2016, ora 12:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori