Nano: Kur do të ikë Rama, Veliaj dhe Xhafa nuk janë budallenj
Analisti Mustafa Nano jep disa motive të “largim-shkarkimit” të Xhafajt, ndërsa mendon se Rama nuk do arrijë të pastrojë partinë nga të inkriminuarit.

Zhvillimet e fundit në Partinë Socialiste dhe qeveri me largimin e Fatmir Xhafajt nga ministër i Brendshëm (ende të paqarta për motivet e dorëheqjes së tij), kanë krijuar disa teori mbi këtë ikje të beftë. Çfarë po ndodh brenda mazhorancës? I konsideruari si i besuari i ndërkombëtarëve detyrohet të ikë, kjo i forcon apo dobëson pozitat e qeverisjes?

Ju thoni “detyrohet”, dhe me këtë lini të kuptohet se më shumë sesa me një dorëheqje të Xhafajt, kemi të bëjmë me një shkarkim të tij. Unë nuk do ta përjashtoja një version të tillë. Mund të ketë ndodhur pra që Rama ka parë se Xhafaj po i dilte nga kontrolli me angazhimin e policisë në një numër goditjesh të forta brenda mazhorancës.

Dhe ka qenë një prononcim i Ramës në një aktivitet në Myzeqe që e ushqen këtë spekulim.

Ai, nga pozitat e kreut të PS-së që po shpërndante tesera partie, i tha një vajze të sapoanëtarësuar në PS se – po e perifrazoj – “qenia në një parti shoqërohet me mungesën e lirisë, me fjalë të tjera me detyrimin për të mos dalë kundër partisë e njerëzve të partisë”. Ta lëmë mënjanë faktin që kjo është një ide absurde. Dhe e rrezikshme, pasi synon të minojë raportin që njerëzit kanë me të vërtetën.

“E vërteta është partia, është interesi i partisë”, -thotë Rama në thelb në këtë rast, dhe këtë e thotë pikërisht në ditën që Xhafaj kishte dhënë dorëheqjen. Edhe mund të ndodhë ky lloj përkimi, por zakonisht përkime të tilla sfidojnë edhe logjikën e probabilitetit, e prandaj janë vështirësisht të besueshme.

Sidoqoftë, le të mos përjashtojmë edhe versione të tjera. Xhafaj mund ta ketë dhënë dorëheqjen edhe për shkak të një “borxhi”, në të cilin ai ishte “futur”, pasi Rama i ishte ndodhur pranë në të gjithë periudhën, në të cilën opozita po e mbante nën një breshëri të fortë goditjesh.

Dhe ky borxh ishte një gjyle në këmbët e tij. Është e tmerrshme të punosh nën presionin e një borxhi. Dhe ky borxh nuk e linte të punonte, nuk e linte të godiste nga të gjitha anët, siç do t’i kishte hije policisë dhe siç do kishte dashur vetë Xhafaj. Dhe kështu ka marrë vendimin që të largohet.

Një version është edhe ai zyrtari. Me fjalë të tjera, Xhafaj u rraskapit prej këtij sulmi të madh që iu bë, dhe ka menduar të tërhiqet urtë e butë. Nuk u tërhoq në momentin kur këtë gjë ia kërkonte opozita, por u tërhoq në momentin kur askush nuk e priste.

Në rrethanat, në të cilat ndodhej Xhafaj, nuk do të ishte ide e keqe për të ikur në këtë mënyrë. Sepse është një ikje, me anë të së cilës u thuhet të tjerëve: “Se kur vij në një detyrë, këtë e vendos tjetërkush (në këtë rast, kryeministri), por se ku iki, jam unë që e vendos”.

Në fakt, njerëzit që kanë respekt për veten kështu sillen. Dua të them, kështu ikin. Dhe Xhafaj – këtu po jap një konsideratë timen – bën pjesë tek ata pak politikanë shqiptarë që kanë një dinjitet personal. Sidomos krahasuar me të tjerë rrotull tij. Mua më erdhi keq që ai u largua.

Si e konsideroni faktin që ish-ministri Xhafaj, vetëm katër ditë pasi dha dorëheqjen shfaqet në krah dhe në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ndërkohë nga ana tjetër, edhe ish-ministri Saimir Tahiri nënkupton një rikthim në jetën politike pasi të mbyllë problemet jo të vogla që ka me drejtësinë. A po krijohen brenda mazhorancës grupime?

Rishfaqja e Tahirit është një muhabet më vete. Atij i erdhi vendimi nga Italia lidhur me procesin, ku ishte përfshirë edhe emri i vet. Dhe ky vendim e shfajësonte. Kështu që ai ka synuar të mbrohet publikisht, duke qenë se kanë qenë të shumtë ata që i kanë mëshuar idesë se “ishin italianët që e kishin hapur këtë histori”.

Kështu që lëvizja e Tahirit nuk lidhet me asgjë që ndodh në partinë socialiste. Çdo spekulim mbi këtë gjë e shoh shumë të kërkuar. Kam përshtypjen se Saimir Tahiri, edhe sikur ta hedhë hallin që e ka zënë, është pa të ardhme në PS e në politikë.

Në rastin tjetër, spekulimet janë të kuptueshme, por mua nuk më bindin.

Nuk ka grupe në PS. Mund të ketë ndonjë ide për të krijuar një grup, apo grupe, të caktuara anti Rama, por këto grupe do të kenë vlerë vetëm pasi Rama të largohet.

Për sa kohë që do jetë Rama kryeministër, asnjë grup nuk do guxonte të shfaqej. Jo për gjë, por do të rrezikonin avenirin e tyre pa qenë nevoja. Do të ishte një ngut budallenjsh, dhe mua nuk më rezulton budalla as Veliaj, as Xhafaj. Veliaj nuk ka arsye as të ngutet, përveç të tjerash. Ai është kryetar i bashkisë së Tiranës, është i ri në moshë, dhe ka gjithë luksin të presë që fuqia e Ramës të tretet, siç po tretet.

Lind pyetja: Pse Xhafaj nuk priti ca kohë para se të shfaqej në një aktivitet politik, për të shmangur kështu edhe lloj-lloj hamendjesh? Për mua ka një përgjigje të thjeshtë: Xhafajt nuk i prishin punë këto hamendje, madje mund t’i interesojnë. Por puna është që nuk ka asgjë prapa tyre. Nuk ka asnjë përpjekje për të rrëzuar Ramën. Ky i fundit do të largohet si kryetar i PS-së, dhe si kryeministër, veç nëse humbet zgjedhjet ose nëse vendos vetë të largohet para zgjedhjeve. Çdo formë tjetër është thjesht wishful thinking.

Kryeministri Edi Rama në postin e ministrit të Brendshëm ka propozuar Gjeneral Sandër Lleshin, një ish-ushtarak, pa angazhime politike, përse kjo zgjedhje? Është një mënyrë për të “pastruar” këtë post kyç, një lloj mbrojtjeje nga sulmet politike apo një sinjal drejt të besuarve të tij se tani e më pas njerëzit me të cilët do të qeverisë mund t’i gjejë edhe jashtë radhëve të PS-së?

Rama ka tanimë një histori të komplikuar me ministrat e Brendshëm. Janë dy ministra që i janë larguar, apo që ia kanë larguar, apo që i ka larguar ai vetë. Nën presionin e opozitës. Dhe nën një diskutim të madh publik, në të cilin Rama, dhe të vetët, janë vënë në këndin e ringut, dhe janë grushtuar pa pushim. Ai nuk do donte që kjo gjë të ndodhte edhe njëherë të tretë. Do të ishte shenjë e degjenerimit të plotë të pushtetit të tij. Dhe kështu ka zgjedhur një njeri me “biografi të pastër”.

Por duhet thënë se Sandër Lleshi i ofron atij edhe garancira të tjera. Ai nuk është thjesht njeriu me “biografi të pastër”, nuk është thjesht njeriu, me të cilin nuk ke si të kapesh, e se si ta bësh pis (pasi, lëri të tjerat, nuk ka qenë në pozicione vendimmarrjeje).

Sandër Lleshi është edhe një njeri me kredenciale të mira profesionale, sidomos në fushën e sigurisë kombëtare. Dhe unë nuk di një post shtetëror që të ketë nevojë më shumë për këto kredenciale sesa posti i ministrit të Brendshëm.

Unë nuk e di se si do të punojë ai. Ndoshta edhe mund të dështojë. Por di që në këtë moment nuk ka arsye për ta kritikuar, nëse nuk quajmë arsye të qenit pranë Ramës.

Çfarë po synon Rama me këto qëndrime, mos po kërkon të “blindojë” një mandat të tretë duke pastruar të përfolurit brenda partisë, për lidhjet me krimin? A mund ta përdorë si një kartë të fortë për të kërkuar sërish votat e shqiptarëve me “parimin” e barazisë para ligjit, tashmë që kryeministrit i është “djegur karta” se të tjerët në bashkëqeverisje nuk e linin të bënte shtet? Nëse ecën me këtë parim, a mund të ketë një “kryengritje” nga të tijtë që deri më sot i ka patur bashkëpunëtorë?

Nëse e pastron partinë nga të përfolurit, ai edhe mund të gjente arsye për të synuar një mandat të tretë. Por a mund ta bëjë këtë gjë? Ai mund t’i largojë ai njerëzit, që i janë përfolur nga media apo nga opozita? Unë nuk besoj se mund ta bëjë. Dhe nuk është frika e ndonjë kryengritjeje.

Siç thashë më sipër, nuk ka asnjë rrezik që në PS-në e Ramës të lindë ndonjë fraksion anti Rama. Unë nuk besoj se mund t’i dëbojë ata, Ata bëjnë pjesë te njerëzit më të afërt të Ramës. Ah, nëse do të jetë prokuroria që do ndërhyjë, atëherë ndryshon puna, është ajo që do bënte një “punë të pistë”, që Rama vetë nuk do guxonte ta bënte. Thënë ndryshe, në këtë rast Rama do t’i hiqte gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve. Mund të ndodhë kjo? Edhe mundet.

Rama ka treguar në rrethana të tilla, se ai nuk u del për zot më shumë sesa duhet të akuzuarve nga Prokuroria. I lë të marrin fund ngadalë-ngadalë. Në PS e dinë këtë gjë tanimë. Siç e dinë të gjithë të tjerët. /MAPO/
Shtuar më 03/11/2018, ora 12:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori