Nano Ceduni në Kongresin Socialist
Pëlqej
Albeu.com
Zhgënjimi i çastit që mund të ketë krijuar te pjesëmarrësit në kongresin e fundit të PS-së mungesa e prezencës fizike e të gjithë liderëve të majtë europianë, u fashit duke u kthyer në optimizëm dhe vrull revolucionar në momentin kur skenës kongresuale iu ngjit përfaqësuesi i të majtës aziatike, vetë shoku Nano Cedun.Si përfaqësues i denjë i simotrës kineze në pushtet, kryetari Nano, ashtu si Mao Ceduni në vitin e largët 1958, shpalli përmes fjalimit të tij fillimin e fushatës "Hapi i Madh Përpara", për mobilizimin dhe frymëzimin e masave. Edhe pse rikthimet e tij në tokën dhe problemet e shqiptarëve janë shpeshtuar këto kohët e fundit, përsësri ato ngelen të pafuqishme për t'i përmirësuar imazhin dhe për të rritur shkallën e besueshmërisë në elektorat. Kujtesa e një kombi të qytetëruar nuk mund të jetë vetëm kujtesë emocionale që të pretendosh për ta manipuluar përmes pamjeve dhe spekulimeve tragji-komike, të denja për t'u vënë vetëm në skenën e ndonjë teatri provincial. Kujtesa e një kombi të qytetëruar formohet prej konkluzioneve, analizave, krahasimeve të fakteve, ngjarjeve dhe sjelljeve në kohë. Forma dhe mjetet që përdori edhe kësaj here kryetari Nano, për të depërtuar në shpirtin dhe zemrat e shqiptarëve, ishin të gabuara. Rruga për në zemër kalon vetëm nga zemra, ndërsa mashtrimi, tallja dhe papërgjegjshmëria, edhe atëherë kur duhet të zgjasin 1 orë e 20 minuta, mund të prodhohen vetëm në një mendje makiaveliste. A nuk ishte e tillë thirrja që iu bë qytetarëve shqiptarë për të mos paguar asnjë qindarkë nga xhepat e tyre për ryshfete? A nuk është kjo një tallje me luftën kundër korrupsionit dhe një akuzë indirekte për qytetarët duke i etiketuar ata si stimulues dhe nxitës të korrupsionit? Në kohën kur kjo qeveri akuzohet çdo ditë për nivelin e lartë të korupsionit, zgjidhja që jep Nano Ceduni për t'i kapur peshkaqenët duke tharë ujin e tërë deteve, tingëllon më shumë se sa një kinezëri. Është e vërtetë se askush sot nuk mund të verë në dyshim hapësirën e pakufishme të lirisë që ka garantuar filozofia Nano. Ekzistojnë të gjitha llojet e lirisë. Liria për të manipuluar, spekuluar, shpifur dhe mashtruar. Liria për të vjedhur, liria për të përvetësuar, liria për të korruptuar dhe për t’u korruptuar. Ekzistojnë të gjitha përveç njërës. Lirisë dhe të drejtës për të votuar. Nuk tha asgjë për votën kryetari edhe pse rekomandimet, vërejtjet dhe sygjerimet e të gjitha organizmave ndërkombëtare që merren me procesin zgjedhor paralajmërojnë rrezikun për zgjedhje të manipuluara. Të gjithë e besojnë kur thotë se nuk i prek xhepat e shqiptarëve, sepse ai prek votën e shqiptarëve. Xhepat i prekin ustallarë të tjerë. Nuk e di se sa i ndershëm dhe i moralshëm ngelet kryetari pasi ka pranuar të përvetësojë votën e shqiptarëve. Liria dhe toleranca të fituara në "akademinë" e Bënçës, e manifestuar më së miri në mbledhje KPD-së dhe në histori largimesh, ikjesh dhe ndarjesh, nuk bëhen të besueshme vetëm nga miratimi i paketës fraksioniste, si kujtim për fushatën maoiste të Njëqind Luleve. Është e gabuar koha që keni zgjedhur për të mbjellë e lejuar 99 lulet e tjera. Në këtë stinë mbillen vetëm karafilat. Të gjatë apo të shkurtër, me erë apo pa erë, gonxhe, të çelur apo të vyshkur, por vetëm karafila. Në tokën që ju ujitni dhe plehëroni çdo ditë, zoti Nano, mund të mbillen vetëm karafila. Entuziazmi, duartrokitjet dhe energjia që pamë të ziente në atë sallë ka fare pak të bëjë me realitetin dhe problemet që ndeshin çdo ditë qytetarët shqiptarë. Batutat ironike, krahasimet dhe epitetet e bëra vetëm disa ditë pas nënshkrimit të kodit etik përpara Presidentit dhe përfaqësuesve diplomatikë, nuk është ajo që kërkojnë dhe meritojnë shqiptarët në këto zgjedhje. Nuk e meritojnë këtë sjellje mëndjelehtë dhe të papërgjegjëshme as vetë socialistët e lodhur nga jeta "sociale". Bajate do të tingëllonin ato histori edhe për veshët e "kongresmenëve tanë" të cilët ftohen në kongres vetëm kur votohet kryetari, ndaj edhe mungonin kësaj here. Ajo që gufonte me entuziazëm në sallën e mbyllur ishte "State capture", administrata shtetërore e kapur nga Fatos Nano. Me këtë administratë kryetari kërkon të ndajë gurët (por jo dafinat) që bien mbi kokën e tij. Kësaj administrate i kërcënohet duke i kujtuar atë që mund të humbasë. Ndaj edhe kongresi i ngjau pazarit të lëkurëve ku edhe pse i gjen të gjitha llojet dhe cilësitë e lëkurës nga ato të hollat, të bardhat e të tejdukshme të mira për dorashka dhe qafore grash e deri te lëkurët e zeza e të trasha të mira për defe e dajre, të gjithë bërtasin kush e kush ta shesë më mirë e më shtrenjtë lëkurën e tij. Zhurmë. Shumë zhurmë bënë socialistët ku zëri më i kthjellët mbeti ai i xhaxha Ethemit. Kaq shumë zhurmë u bë në kongresin e fundit socialist sa askush nuk mund të shpresojë më që të dëgjohet ndonjë zë i përgjegjshëm. Për më tepër kur pas metamorfozës së përgjithshme kryeministrore, veshët kanë patur fatin më të keq. Të mbledhur, të zvogëluar e ngushtuar, ato kanë marrë formën e gojës së gjithë atyre që rrinë pas kryeministrit dhe që si zanat nuk kanë këshillimin, por artin e pëshpëritjes rrëzë veshit. Botuar ne Shekulli
Shtuar më 07/05/2005, ora 23:07
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori