Nano-Berisha, vendoset debati
Albeu.com
Debatet do të zhvillohen në datat 22 dhe 29 maj. I pari për politikën e jashtme dhe i dyti për atë të brendshme. PD-ja pranon debatin në një studio jashtë televizioneve. PS-ja propozon Remzi Lanin, PD-ja Blendi Fevziun Nano dhe Berisha bien dakord për zhvillimin dhe formatin e debatit të shumëpritur mes tyre. Përfaqësuesit e liderëve të të dy partive të mëdha politike kanë rënë dje dakord për gati të gjitha detajet e zhvillimit të debatit, por pritet që sot të diskutohet për emrin e moderatorit që do ta drejtojë atë. Erion Braçe, si përfaqësues i kryeministrit Fatos Nano dhe Mero Baze, si përfaqësues i kryetarit të PD-së, Sali Berisha, kanë gjetur mirëkuptimin që të zhvillohen dy debate nga datat 22 deri në 29 qershor. Debati i parë do të ketë si temë politikën e jashtme dhe i dyti politikën e brendshme. Po kështu, Berisha ka pranuar që debati të zhvillohet në një studio të hapur, pra jashtë studiove televizive, vendndodhja e së cilës do të përcaktohet nga vetë moderatori. Deri tani mendohet që Akademia e Arteve të jetë një nga mjediset e përshtatshme. Përsa i përket emrit të moderatorit, Mero Baze thotë se do të propozojë gazetarin Blendi Fevziu, i cili në fakt përjashtohet nga kërkesat e socialistit Braçe, pasi kërkohet që debati të moderohet nga një gazetar ose profesionist i lirë me eksperiencë në çështje politike, i cili nuk ka shfaqur qëndrime të njëanshme politike dhe që garanton konsensusin e mediave kombëtare të interesuara. Pas këtyre kritereve, socialistët kanë propozuar fillimisht drejtorin e Institutit Shqiptar të Medias, Remzi Lani, i cili deri tani ka organizuar dy tryeza, ku Nano e Berisha kanë qenë përballë gazetarëve veç e veç, por asnjëherë përballë njëri –tjetrit, përballë një publiku të gjerë. Por Lani mësohet se ka refuzuar një ditë më pas, e sipas palës socialiste, ky refuzim ka ardhur pas presioneve që i janë bërë atij. Megjithatë, përfaqësuesi socialist, Braçe, do të ketë sot edhe emra të tjerë, midis të cilëve pritet të përzgjidhet edhe moderatori i debatit Nano-Berisha për të mbyllur kështu serinë e negociatave.
Platforma
Braçe i ka paraqitur dje Bazes konceptin me shkrim të kryetarit Fatos Nano mbi këtë debat, ku thuhet se Nano i qëndron idesë se duhet të zhvillohen dy debate, njëri mbi çështjet e politikës së brendshme dhe tjetri mbi çështjet e politikës së jashtme. Pala socialiste mendon që debatet të zhvillohen në një kohë të përshtatshme për të dy palët. Duke patur parasysh rëndësinë e madhe që këto debate kanë për votuesit shqiptarë, ata sugjerojnë që debati i parë të mbahet javën e ardhshme. Po kështu, PS-ja sugjeron që debatet të transmetohen nga sa më shumë rrjete televizive e radio qendrore e lokale, të cilat e kërkojnë vullnetarisht, duke u ushqyer nga e njëjta regji televizive. Mendojmë që kjo është e vetmja mënyrë që debatet të ndiqen nga një numër sa më i madh votuesisht në të gjithë Shqipërinë. Përfaqësuesi i kreut socialist Fatos Nano, Erion Braçe, ka saktësuar dje se do të përcaktohen kritere të veçanta për transmetimin e debatit në kushte sa më të mira. Kështu do të kërkohet që të sigurohet cilësi mjaft e mirë e figurës dhe pajisjet e regjistrimit do të duhet të jenë të një cilësie të lartë.
ǒkishte propozuar PD-ja
Fillimisht përfaqësuesi i PD-së, Mero Baze, në konceptin me shkrim që i drejtoi Braçes, kërkonte që “debati të zhvillohej në një studio televizive të përshtatur, ku mund të vendoset ose jo, sipas marrëveshjes, që të ketë publik. Në sallë mund të vendosen edhe stafet e afërta të të dy liderëve të partive. Në debat mund të jenë, ose jo, pjesëmarrës edhe 2 ose 4 analistë të njohur, të cilët mund të propozohen nga televizioni, ose mund të sugjerohen nga dy forcat politike, sipas një përfaqësimi të barabartë”. Po kështu PD-ja propozonte që në sallë të ishte një projektor i madh, në të cilin gjatë debatit dhe në mbështetje të argumenteve të tyre, të dy liderët të demonstronin shifrat që kishin nevojë. Ballafaqimi i shifrave nuk mund të ishte më i gjatë sesa 2- 3 minuta dhe vetëm për ato kryesoret. Debati të zhvillohej në një kohë televizive jo më të gjatë se 120 minuta, ndërsa për çështjet që do të diskutoheshin, të dy palët ishin qysh në fillim pak a shumë dakord.
Debati, sipas Berishës, duhet të ketë një platformë ku të përfshihen të gjitha pikat e rëndësishme të programeve të dy partive kryesore politike. Ai duhet të fillojë me deklarimin nga secili kandidat të prioriteteve qeverisëse të tyre, duke ia lënë atyre renditjen. Debati duhet të përqendrohet në këto politika bazë: Politika fiskale dhe ajo ekonomike në përgjithësi; politika e sigurisë; paketa antikorrupsion; politikat sociale; politika e jashtme dhe integrimi; investimet e huaja dhe privatizimi. Ndërsa kërkohej që kandidatëve t’u lihet kohë që të shpjegojnë edhe raportin e tyre personal me angazhimin që ju ka caktuar forca politike, në rast se do të fitojnë zgjedhjet. Në mbyllje kandidatët mund të rendisin edhe avantazhet personale që ata besojnë se kanë ndaj kandidatit rival, me të drejtë replike mes tyre. Në përfundim, të dy krerët e politikës, sipas kërkesës së PD-së, do të kenë mundësi t’u bëjnë thirrje votuesve të mbështesin forcën që ata përfaqësojnë.

Platforma e PS-së për debatin Nano-Berisha e pranuar dhe nga PD

· Kryetari i PS-së, Fatos Nano, i qëndron idesë se duhet të zhvillohen dy debate; njëri mbi çështjet e politikës së brendshme dhe tjetri mbi çështjet e politikës së jashtme. E ritheksojmë se në thelb të zhvillimit të zgjedhjeve në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare duhet të qëndrojë pikërisht vullneti ynë i përbashkët për t’u dhënë mundësi votuesve shqiptarë të njihen me pikëpamjet dhe vizionin e dy liderëve për qeverisjen e ardhshme të vendit. Duke patur parasysh përpjekjet dhe sukseset e qeverisjes së PS-së në lidhje me pranimin e afërt të Shqipërisë në NATO dhe BE, mendojmë që çështjet e politikës së jashtme janë një nga faktorët më të rëndësishëm për zgjedhësit në këto zgjedhje e për këtë duhet të trajtohen me vëmendjen që meritojnë.
· Ne mendojmë se debatet duhet të zhvillohen në një kohë të përshtatshme për të dy palët. Duke patur parasysh rëndësinë e madhe që këto debate kanë për votuesit shqiptarë, ne sugjerojmë që debati i parë të mbahet javën e ardhshme
· Sugjerojmë që debatet duhet të zhvillohen në formën e një studioje të hapur, vendndodhjen e së cilës jemi gati ta përcaktojmë bashkarisht.
· Sugjerojmë që debatet të transmetohen nga sa më shumë rrjete televizive, radio qendrore e lokale, të cilat e kërkojnë vullnetarisht, duke u ushqyer nga e njëjta regji televizive. Mendojmë që kjo është e vetmja mënyrë që debatet të ndiqen nga një numër sa më i madh votuesisht në të gjithë Shqipërinë.
· Sugjerojmë që debatet duhet të moderohen nga një gazetar ose profesionist i lirë me eksperiencë në çështje politike, i cili nuk ka shfaqur qëndrime të njëanshme politike dhe që garanton konsensusin e mediave kombëtare të interesuara.
Darina Tanushi, Shekulli
Shtuar më 10/06/2005, ora 15:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori