Nëse shpallet pavarësia e njëanshme do ta braktisim parlamentin, thotë Petkovic
Albeu.com
Përfaqësues të Partisë Demokratike Serbe deklaruan sot se do ta lëshojnë Kuvendin e Kosovës dhe nuk do të kthehen më, nëse vjen deri të shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës.Lideri i Partisë Demokratike Serbe, ish ministri i Kthimit Slavisha Petkovic, ka deklaruar sot, në qendrën Mediale në Çagllavicë, se nuk do të njohë shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se nëse ndërmerret një hap i tillë “ne do ta lëshojmë Parlamentin”, me që sipas tij, kjo është shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe e rezolutës 1244.
Përfaqësues të Partisë Demokratike Serbe deklaruan sot se do ta lëshojnë Kuvendin e Kosovës dhe nuk do të kthehen më, nëse vjen deri të shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës. Lideri i kësaj partie Slavisha Petkovic ka deklaruar se “vendim i pranueshëm do të jetë vetëm ai i Këshillit të Sigurimit”.

“Për ne është vendim i obligueshëm vetëm ai vendim që vjen nga ana e KS të OKB-së dhe asnjë tjetër. Nëse vjen deri te shpallja e pavarësisë, ne atë ditë do të marrin pjesë deri sa të paraqesim qëndrimin tonë, dhe menjëherë do ta lëshojmë parlamentin”, ka theksuar Petkovic.

Ai tërhoqi vërejtjen se të gjithë ata që e shpallin pavarësinë dhe e njohin atë, duhet të jenë përgjegjës.
“Ata të cilët përcaktohen për këtë vendim, për shpalljen e njëanshme të pavarësisë, ata duhet të marrin përgjegjësitë për gjithçka që do të ndodhë dhe për pasojat pas statusit të Kosovës”, ka thënë Petkovic.

Ndryshe, Partia Demokratike serbe, nuk është pjesë e qeverisë për çka lideri i saj, Slavisha Petkovic e akuzoi Partinë e Pavarur Liberale Serbe, nga radhët e së cilës janë edhe dy ministra në Qeveri, se ata punojnë vetëm për interesa personale e jo për interesa të popullatës serbe në Kosovë.

Duke folur se partia e tij nuk e mbështet asnjë lloj trazire dhe se nuk do t’iu bëjë thirrje serbëve për shpërngulje nga Kosova, pas shpalljes së pavarësisë, Petkovic tha se partia e tij do të luftojë për interesat serbe jashtë Parlamentit.

“Ju e dini se një pjesë e shteteve do ta pranojnë pavarësinë, e një pjesë jo dhe këtu kemi një hapësirë të madhe politike që çdo ditë të dëshmojmë se sa është i dëmshëm vendimi - nëse miratohet dhe pranohet nga shtetet të ndryshme”, ka thënë Petkovic.

Vizitën e para dy ditëve të kryeministrit Hashim Thaçi në Rubovc të Lipjanit, në një familje serbe, Petkovic e quajti si formalitet demokratik para bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë takim me gazetarë nuk prezantuan pjesëmarrësit e dy partive parlamentare serbe, edhe pse kishin konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. (rtk)
Shtuar më 07/02/2008, ora 20:37
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori