Në Kalanë e Shkupit zbulohen themelet e shtëpive të para të Dardanisë
Albeu.com
Në Kalanë e Shkupit janë zbuluar themelet e shtëpive të para dardane, të ndërtuara që para tre mijë vjetëve. Historianët shqiptarë thonë se me këtë është vërtetuar edhe një herë historikisht prania e elementit shqiptar në Shkup.Nga ana tjetër, arkeologet maqedonas duke hezituar të pranojnë realitetin e artefakteve të gjetura, thonë se objektet e gjetura i takojnë periudhës ne të cilën nuk ka pasur fise të përcaktuara etnikisht.
Gërmimet arkeologjike në Kalanë e Shkupit kanë nxjerrë në dritë themelet e shtëpive të para, të ndërtuara që para tre mijë vjetëve, që sipas të dhënave, kanë qenë të banuara nga dardanët.

Historianët shqiptarë thonë se rrënojat e zbuluara në Kalanë e Shkupit, vërtetojnë edhe një herë praninë e elementit shqiptar, në njërën prej qendrave më të mëdha të Dardanisë.

Nga vrojtimet e para arkeologët kanë vënë re se në objektet e zbuluara gjenden vrima të bëra me hunj të mëdhenj, shtylla që kanë mbajtur kulmet, furra për pjekje, dhe inventarë te ndryshëm të qeramikës, të punuara me dorë, thotë Mr.Skender Hasani, nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni

Arkeologët maqedonas, që marrin pjesë në këto gërmime, thonë se objektet e zbuluara i takojnë periudhës së bronzit të vonshëm, dhe që sipas tyre ndërtimet janë bërë nga fise të egra dhe të papërcaktuara etnikisht.

"Bëhet fjalë për një objekt të kohës së bronzit të vonshëm, të periudhës së fillimit të parahistorisë, ku të gjitha bashkësitë etnike fillojnë të stabilizohen në hapësirën e Ballkanit. Ky objekt ka një formë standarde të asaj kohe, të njohur edhe nga koha e mesme e bronzit", thotë Dr. Dragisha Zdravkovski,
arkeolog
Arkeologët maqedonas duhet të pranojnë realitetin dhe të interpretojnë pa rezervë artefaktet e kulturës ilire,porosisin historianët shqiptarë, që sipas tyre periudha e bronzit është koha e formësimit të etnosit dardan dhe se historiografia nuk njeh popuj të tjerë në Shkup përveç dardanëve, thotë Mr.Skender Hasani, nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni

Shoqata e Historianeve Shqiptarë në Maqedoni edhe njëherë përsërit kërkesën që në procesin e vlerësimit të artefakteve të gjetura në Kalanë e Shkupit të përfshihen edhe arkeolog-ekspert të Ilirisë nga Kosova, Shqipëria dhe vende tjera të rajonit.

Në themelet Kalasë së Shkupit fshihet e gjithë historia e qytetit.

Gërmimet e filluara në muajin mars do të zgjatin deri me 15 tetor të këtij viti, ndërsa për realizimin e këtij projekti qeveria ka ndarë mbi 2 milion euro. rtk
Shtuar më 26/05/2007, ora 15:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori