Nafta "Virgin", në pranga 11 biznesmenë tatimorë e doganierë
(UPDATE) Një operacion i gjerë i Task-Force së Prokurorisë ka arrestuar sot në mbrëmje një numër të madh personash, në kuadër të operacionit që po heton abuzimet me naftën e shtetit. Kanë përfunduar sot në pranga 11 persona, mes tyre biznesmenë, tatimorë e doganierë.

Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar sot biznesmeni Iljaz Fisheku, i njohur si sipërmarrësi i kompanisë së naftës “Fisheku”, si dhe Marin Fisheku. Mes të arrestuarve është edhe bosi i kompanisë së ujit "Lajthiza", Hajri Elezaj, që ka në pronësi edhe një kompani nafte. Personat e tjerë të arrestuar janë, Dashamir Kasajm, Edmond Ferraj, Flamur Merkaj, Vladimir Koteci, Gani Prence, Reshat Aleksi, Kadri Hajredini. Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, sipas Prokurorisë.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet që në muajin tetor të vitit 2010 për shpërdorim të naftës së shtetit. Në këtë hetim janë përfshirë 2 kompani, të cilat bënin kontrabandë me naftën Virgin, duke e regjistruar sikur po eksportohej, ndërkohë që e shisnin atë në karburantet e ndryshme në vend.

Nga hetimet e zhvilluara deri tani është bërë e mundur të provohet se gjatë periudhës 2007 – 2009, sasi të konsiderueshme te nënproduktit te naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si "Virgin", është tregtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum.

Ky aktivitet është realizuar nga ana e subjektit privat "Euroil" sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj si dhe në bashkëpunim me subjektin tjeter privat "Fisheku" sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku. Sasia e nënproduktit të naftës te quajtur "Virgin" është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës "Armo" sh.a dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit.

Por në fakt, ajo është shitur në tregun e brendshëm në kundërshtim me ligjin dhe duke mashtruar konsumatorin shqiptar. Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe punonjës të caktuar të administratës tatimore dhe doganore, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar në fshehjen dhe mosdeklarimin e aktivitetit në fjalë.

Denoncimi për këtë cështje u bë publik disa muaj më parë nga ish-ministri Dritan Prifti i cili akuzoi edhe zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë Agron Kulicaj se kishte dijeni për të, dhe ka lejuar kontrabanden e naftes se papaster të njohur si nafta virgine.

Lista e plotë e personave të arrestuar, si më poshtë :
1. Hajri Hajredin Elezaj
2. Ilias Isa Fisheku
3. Martin Ilias Fisheku
4. Bajram Isa Fisheku
5. Dashamir Veiz Kasaj
6. Edmond Kaso Ferraj
7. Flamur Rexhep Merkaj
8. Vladimir Kilo Koteci
9. Gani Llazar Prence
10. Reshat Hamza Aleksi
11. Kadri Rakip Hajredini

/albeu.com/
Shtuar më 11/03/2011, ora 20:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori