Aksidente në seri, kini kujdes, policia “blindon” të gjitha rrugët e Tiranës (FOTO LAJM)

Policia e Shtetit po ushtron kontrolle në të gjitha rrugët e Tiranës mbrëmjen e kësaj të diele.

Punonjësit e Policisë të shpërndarë në zona të ndryshme të kryeqytetIt për kapjen e personave në kërkim, të atyre që lëvizin me armë, apo që mund të jenë me rrezikshmëri shoqerore.

Të pranishëm dhe forca të shumta të Policisë Rrugore me fokus kryesor evidentimin e shoferevë që drejtojnë automjetin të dehur apo nën efektin e narkotikëve.

Kujtojmë që paraditen e së dielës një makinë “Benz G-Class” e drejtuar nga 39-vjeçari Ajas Sulejmani, hyriu me semafor të kuq në rrugën e Kavajës” dhe aksidentoi bashkëshortët Arjan dhe Vilma Konomi si dhe vajzën e tyre 3-muajshe teksa po kalonin në vijat e bardha për në anë tjetër të trotuarit.

Menjëherë pas aksidentit ishin kalimtarët ata që i dhanë ndihmën e parë të aksidentuarve si dhe lajmëruan ambulancën, ndërkohë që drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri u larguan menjëherë nga vendngjarja për tu arrestuar pak orë më pas.

Njoftimi i policisë:

Nisur nga aksidentet e ndodhura ditët e fundit, në disa qarqe të vendit, me pasoja për jetën, si dhe nga aksidenti i mesditës së sotme në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka kërkuar reflektim të menjëhershëm të strukturave të Policisë Rrugore, në të gjithë vendin, por dhe të strukturave të Rendit e Shqiponjave, me qëllim koordinimin e veprimeve për evidentimin dhe ndëshkimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve, që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, konkretisht:

Në dhënien përparësi të këmbësorëve në vijat e bardha dhe aty ku ato mungojnë, që nuk respektojnë tabelat e shpejtësisë, ata që nuk vendosin rripin e sigurimit, për ata që përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit, për ata që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të atyre që përdorin mjetet me xhama të riveshur pa u certifikuar, ata që kryejnë gara shpejtësie e manovra të rrezikshme në rrugë, dhe ata drejtues motomjetesh që nuk përdorin kaskën mbrojtëse.

Drejtori i Përgjithshëm, nëpërmjet një telegrami urgjent për stukturat, ka kërkuar që drejtuesit e strukturave Policore të jenë në krye të shërbimeve, për ti organizuar dhe orientuar, që të fokusohen në ato shkelje që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Gjithashtu, Drejtor Nano, ka urdhëruar ngritjen e një grupi inspektimi nga Departamenti i Sigurisë Publike për të kontrolluar, analizuar dhe evidentuar mangësitë, si dhe për të marrë masa konkrete ndëshkimore, për personat përgjegjës për aksidentet e ndodhura, apo për rezultate të dobëta në punë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkon edhe njëherë bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe të denoncojnë çdo abuzim me detyrën të punonjësve të Policisë Rrugore, apo për mosveprim a plogështi në veprime, duke i siguruar për reagim të menjëhershëm dhe të ashpër, ndaj çdo drejtuesi mjeti dhe ndaj secilit punonjësi Policie, që me mosveprimet e tij, cënon rëndë sigurinë e jetës në rrugë.

Njëkohësisht Nano falenderon median dhe inkurajon ato që të bëjnë publike çdo shkelje të rregullave të qarkullimit dhe të kontribuojnë sëbashku në rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.

Prej orës 20:00 në të gjithë vendin kanë nisur kontrolle intensive, patrullime e monitorime, që do jenë të përditshme dhe jo me fushata, duke përdorur të gjitha mjetet logjistike bashkëkohore, që tashmë Policia Rrugore ka në përdorim./albeu.com