Nafta; “lufta” komerciale mes Kosovës dhe Maqedonisë
Albeu.com
Një konflikt për naftën dhe derivatet e saj ka tensionuar marrëdhëniet tregtare mes Maqedonisë dhe Kosovës. Pas një pritjeje prej tetë ditësh, mbrëmë vonë, autoritetet kosovare lejuan 70 cisternat me naftë të OKTA-s të kalojnë kufirin në pikën doganore të Hanit të Elezit.Rreth 70 cisterna të rafinerisë “OKTA”, që transportojnë derivatet e naftës nga Maqedonia drejt Kosovës, janë “ngujuar” prej disa ditësh në vendkalimin kufitar të Bllacës, duke krijuar një precedent të konfliktit tregtar mes palëve si dhe një situatë kaotike që po pengon edhe qarkullimin civil mes tyre. Cisternat janë bllokuar pas një vendimi të marrë nga autoritetet kosovare për të mos lejuar naftë jashtë standardeve në territorin e tyre, por vetëm naftë ekologjike, pra të një cilësie të lartë. Kjo mund të sjellë për pasojë rritjen e çmimit të naftës në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit, pasi nafta cilësore nuk do të merret më në Maqedoni, por në vende të tjera. Rafineria OKTA, që ka dërguar çisternat drejt Kosovës, ka reaguar nëpërmjet një deklarate ku thekson se ajo mbulon 85 për qind tregun kosovar me derivatet e naftës dhe se parametrat kryesorë të cilësisë së saj janë respektuar. Standardet për transportin e derivateve të naftës nga muaji dhjetor i 2006, respektohen në tërësi nga rafineria OKTA, standarde këto që vlejnë edhe për Serbinë, Kroacinë, Bosnjën dhe Malin e Zi. Standardi euro 3 vlente edhe për Kosovën. Por, autoritetet kosovare kanë filluar të kërkojnë standardet euro 4 dhe euro 5, të cilat sipas përfaqësuesve të OKTA-s nuk aplikohen edhe në disa shtete të Bashkimit Evropian. Për analizën e këtyre standardeve duhen laboratorë të veçanta që për momentin nuk ekzistojnë as në Kosovë, thonë autoritetet e OKTA-s. Zëdhënësja e Ministrisë së ekonomisë së Maqedonisë, Marija Vesova, thotë se problemi me bllokimin e cisternave në kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë është i aspektit tregtar dhe nuk ka të bëjë me ndonjë prapavijë politike. “Bëhet fjalë për një marrëveshje komerciale midis dy kompanive private, njërës importuese nga Kosova dhe një kompanie eksportuese nga Maqedonia. Duke pasur parasysh këtë fakt, Qeveria e Maqedonisë nuk dëshiron të përfshihet në marrëveshje komerciale”, thotë zëdhënësja. Në kapërcimin e problemit, zhbllokimin e cisternave që transportojnë naftën e Maqedonisë në Kosovë është përfshirë edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë. “Bëhet fjalë për standarde të derivateve të naftës, që le të kuptosh se ky problem është i natyrës komerciale. Ne jemi gati të ndihmojmë. Zyra e Maqedonisë në Kosovë dhe Ministria e Jashtme është në kontakt me OKTA-n, autoritetet kosovare dhe me Dhomat Tregtare të të dyja vendeve me qëllim zgjidhjen e këtij problemi”, - thotë Shpresa Jusufi, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë.


Çlirohet gjendja e tensionuar komerciale për çisternat e OKTAS në Kosovë

Mbrëmë vonë, pas një pritjeje prej tetë ditësh, autoritetet kosovare lejuan cisternat me naftë të OKTA-s të kalojnë kufirin në pikën doganore të Hanit të Elezit. Bllokimi i cisternave nga pala kosovare kishte të bënte me zbatimin e standardeve të reja të cilësisë, të cilat OKTA nuk i plotëson.
Lejimi i cisternave zgjidhi edhe problemin e mallrave të tjera që ishin grumbulluar në kufi, për shkak të bllokimit të cisternave, që kishin zënë rrugën.
Rafineria e naftës OKTA, në Maqedoni, eksporton gjatë një viti në Kosovë më shumë se 300.000 ton derivate nafte, me një vlerë prej 200 milion USD. start
Shtuar më 26/04/2007, ora 16:51
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori