Situata e vështirë nga koronavirusi, Këshilli i Diasporës ka disa këshilla për shqiptarët

Prej thuajse dy muajsh e gjithë bota është në një situatë shumë të vështirë, për shkak të numrit të lartë të viktimave që ka shkaktuar virusi Covid-19.

Edhe Ballkani është prekur nga koronavirusi, duke rrezikuar shqiptarët qe jetojnë në të gjithë rajonin.

Madje në Shqipëri aktualisht ka 146 të infektuar dhe 5 viktima.

Pikërisht duke marrë shkas nga rëndësia e situatës, Këshilli Koordinues i Diasporës, i cili ka 15 përfaqësues nga 15 vende të botës ku ka shqiptarë, ka bërë një deklaratë ku jep disa këshilla për shqiptarët.

Deklaratë

Duke marrë parasysh situatën e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Këshilli Koordinues i Diasporës:

 I bën thirrje klasës politike në Shqipëri dhe Kosovë që të tregoj maturinë e duhur në menaxhimin e kësaj situate të paprecedent.

 I bën thirrje qeverisë së Kosovës që të punoj në menaxhimin e kësaj situate të vështirë duke anashkaluar dallimet politike. Çdo lloj destabilizimi i kësaj qeverie në këto kushte, shpie në destabilizim të shtetit të Kosovës e cila mund të jetë me
pasoja fatale. Interesi kombëtar kërkon nga udhëheqësit politik maturi dhe pjekuri për të mirën e kombit.

 Fton qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës që të përgatisin paketa fiskale konkrete në shërbim të bizneseve dhe popullatës. Gjithashtu fton këto qeveri që të komunikojnë dhe bashkëpunojnë më shumë me bizneset në mënyrë që të bëhet e mundur puna e
tyre në shërbim të konsumatorëve në të gjitha rastet kur kjo nuk sjell rrezikimin e shendetit të punëtorëve dhe konsumatorëve.

 Fton qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës që specialistëve të shëndetësisë t’u jepet më shumë hapësirë në media në mënyrë që t’i japin popullit mesazhe profesionale për menaxhimin sa më lehtë të situatës. Në vendet e zhvilluara ku ne jetojmë ekspertë të fushave të shëndetësisë dhe atyre sociale si dhe autoritetet lokale po luajnë një rol të rëndësishëm në komunikimin me qytetarët, gjë që nuk po e shohim sa duhet në vendlindje.

 Falenderon të gjithë profesionistët e fushës së mjekësisë në vendet tona dhe kudo ata ndodhen nëpër botë për kontributin shembullor në menaxhimin e kësaj situate. Inkurajon bashkëpunimin mes profesionistëve shqiptarë të fushës së mjekësisë kudo
ndodhen dhe ndarjen e këshillave profesionale me komunitetet tona në diasporë në mënyrë që menaxhimi i situatës të jetë sa më i lehtë për të gjithë.

 I bën thirrje të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen t’iu binden rregullave të vendosura nga qeveritë në vendet ku jetojnë si e vetmja mënyrë për menaxhimin e situatës.

 Fton të gjithë bashkatdhetarët që kanë pyetje rreth situatës të kontaktojnë institucionet përgjegjëse në vendet ku jetojnë, ambasadat dhe konsullatat si dhe ne si Këshill Koordinues i Diasporës.

 Fton të gjithë shqiptarët kudo ndodhen të kenë kujdes dhe ta përkrahim njëri-tjetrin në mënyrë që ta kalojmë sa më lehtë këtë situatë të paprecedent.


Shtuar 25.03.2020 14:26