Naço: Lufta kundër korrupsionit jo më me slogane
Pëlqej
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço zhvilloi sot një takim me z. George P. Kent, Koordinator për Antikorrupsionin në Byronë e Çështjeve të Europës, pjesë e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në nisje të takimit z. Naço e ka njohur z. Kent me ecurinë e detitanishme të reformës në drejtësi dhe veçanërisht është ndalur edhe në masat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë në luftën kundër korrupsionit.

“Unë erdha në krye të Ministrisë së Drejtësisë në një kohë që kishte vetëm slogane lidhur me luftën kundër korrupsionit, dhe kur Shqipëria renditej ndër vendet e fundit në raportet që tregonin mbi nivelin e korrupsionit në vend. Në këto raporte Shqipëria renditej në vendin e 116 përkrah vendesh si Nepali, Vietnami dhe Afganistani. Për mua kjo ishte një situatë e papranueshme”, u shpreh Ministri Naço.

Referuar kësaj situate, Ministri Naço e informoi z. Kent se një hap i parë në përgjigje të kësaj situate, ishte edhe përfshirja e publikut në luftën kundër korrupsionit, duke ju krijuar mundësinë qytetarëve që përmes portalit të denoncimeve online, ata të kishin mundësi për të dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë dhe të denonconin korrupsionin në çdo nivel. Ky hap i parë u shoqërua në vazhdim edhe me ndërmarrjen e disa nismave ligjore, të cilat kanë nisur të japin edhe rezultatet e para.

“Për herë të parë në këto 20 vite sillen përpara drejtësisë gjyqtarë të akuzuar për veprën penale të korrupsionit, dhe kjo është një dëshmi që sistemi po nis të reflektojë për nevojën e shembjes së murit të pandëshkueshmërisë”, theksoi z. Naço

Më tej, gjatë takimit Ministri Naço ka vlerësuar asistencën e deritanishme të misionit OPDAT në vendin tonë, ndërsa theksoi vendosmërinë e tij për një reformë, që do të jetë e nevojshme të konsultohet në çdo rast me partnerët ndërkombëtarë.

Ndërsa nënvizoi nevojën për gjithëpërfshirje të aktorëve të sistemit, Ministri Naço e informoi z.Kent se po hidhet një hap i parë me shumë rëndësi në këtë aspekt. Konferenca e cila pritet të zhvillohet në javën e parë të Tetorit, do të mbledhë së bashku aktorë vendimmarrës, spektrin politik, shoqërinë civile, etj, për të pasqyruar idetë dhe projektet, që mund t’i shërbejnë më mirë reformimit të sistemit.

Nga ana e tij z.Kent garanto se, mbështëtja e Departamentit të Shtetit do të vijojë të ketë në vemendje sistemin e drejtësisë, duke synuar luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës.

“Jemi në mbështetjen tuaj përgjatë rrugës drejt Europës. Procesi për integrimin e Shqipërisë në strukturat evropiane lidhet ngushtësisht me ecurinë e reformave në drejtësi. Sytë e publikut janë drejtuar nga ju, ndaj dhe duhet të tregoni një vullnet të fortë politik, por ndërkohë, sfida madhore e një sistemi drejtësie është ndarja e saj nga politizimi”, u shpreh z. Kent

Më tej, Koordinatori për Antikorrupsionin në Byronë e Çështjeve të Europës, e ka përshëndetur organizimin e tryezës gjithpërfshirëse mbi drejtësinë, ndërsa e informoi Ministrin Naço se gjatë takimeve të zhvilluara, ka hasur në një interes të madh të shoqërisë civile për t’u përfshirë në proceset reformuese.

Idenë e Ministrit Naço për të evidentuar figurat më të mira të sistemit dhe për t’i promovuar ata edhe në publik, z. Kent e vlerësoi maksimalisht, duke vunë në dukje se idea për të dalluar më të mirët duhet mbajtur në konsideratë pasi shpesh shpenzohet më shumë kohë për të dënuar të keqen pa u vënë re e mira.

“Është me rëndësi që ndonjëherë të kemi edhe një ‘axhendë pozitive’”, theksoi z. Kent
Shtuar më 26/09/2014, ora 14:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori