"Mysliman besnik, por sundimtar modern", Zogu urdhëroi heqjen e ferexhes
Nga Aurenc Bebja, Francë

“L’Intransigeant”, ka botuar të mërkurën e 31 marsit 1937 një shkrim në lidhje me vendimin historik të Mbretit Zog për heqjen e "ferexhesë” nga gratë shqiptare.

Tirana, qytet i lumtur

Tiranë, 30 mars.

“Shqiptaret e bukura, që prej katër ditësh, kanë zbuluar fytyrat e tyre.

Mysliman besnik, por sundimtar modern, Mbreti Ahmet Zogu, në fakt, ka adoptuar nga Parlamenti një ligj që urdhëron gratë e mbretërisë së tij të heqin dorë nga “çarçafi – ferexheja”, një zakon i vjetër i imponuar në shekullin e XV-të nga turqit, kur ata pushtuan Shqipërinë pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut.

Ky vendim ka ngjallur gëzim të madh në të gjithë Shqipërinë : tek gratë, së pari, të cilat janë, si të gjitha bijat e Evës, të lumtura që admirohen, dhe tek të gjithë të rinjtë.

Tirana është bërë papritur një qytet i lumtur... Të qeshurat dhe rinia ndriçojnë të gjitha fytyrat... Dhe të huajt, të kënaqur, zbulojnë bukuritë që nuk dyshonin...

Kudo, e miratojnë vendimin e sovranit – i cili qe bërë popullor, me 1 mars 1928, duke adoptuar nga Parlamenti, barazinë e të drejtave mes gruas dhe burrit.

Padyshim, që disa myslimanë të vjetër, të cilët kundërshtojnë modernizmin, protestojnë në rrugët e Tiranës, kur takohen me gra pa ferexhe, por ata janë vetëm një pakicë e vogël që nuk shqetëson asnjeri.

Dhe bukuroshet shqiptare u përgjigjen atyre nëpërmjet buzëqeshjeve më të lumtura.” /albeu.com/


https://www.darsiani.com/la-gazette/l-intransigeant-1937-vendimi-i-mbretit-zog-qe-grate-shqiptare-te-heqin-carcafin-ferexhen-e-beri-tiranen-te-lumtur/.
Shtuar më 18/11/2017, ora 09:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori