Mustafa Nano sulmon sërish Azem Hajdarin: Statujat për të janë një përdhunim i historisë
Pak pasi Rudina Hajdari replikoi ashpër kundër publicistit Mustafa Nano, edhe ku ka vendosur të kthejë sërish përgjgije .

Nano shprehet se statujat për Ademin janë tërësisht të tepruara dhe të panevojsshme.

Madje sipas tij ai nuk është as hero, pasi sipas ligjit, Hajdari figuron si i vrarë për gjakmarrje.

Shkrimi juaj për Azem Hajdarin ka shkaktuar debat. Nuk mjafton akti i tij i dhjetorit ‘90, për të pasur një shtatore në qytetin “Studenti” dhe një në vendlindjen e tij në Tropojë?

Së pari, unë nuk jam dakord me vlerësimin e shpërpjesëtimuar që i është bërë dhe i bëhet lëvizjes së dhjetorit. Sigurisht, ata që u ngritën atëmot, sidomos studentët, meritojnë respekt e mirënjohje, por le të mos e teprojmë. Sepse nuk ishin ata që e rrëzuan regjimin komunist. Ky i fundit u rrëzua vetë. U këput nën peshën e krimeve të veta e të varfërisë që mbolli. Ajo që ndodhi në vitin 1990, ishte shumë e thjeshtë: regjimi komunist po binte, dhe u ngritën disa mijëra shqiptarë dhe i dhanë një të shtyrë. Mes tyre, ishte edhe Azemi. Që ishte më i bujshmi u përgjigj ai në një intervistë për Panorama.

Nuk duhej guxim që t’i jepje një të shtyrë?

Jo të gjithë ia dhanë atë të shtyrë. Ok, duhej një guxim prej qytetari, por jo një guxim prej heroi.

Pra, nuk ka pasur asnjë hero në atë kohë?

Absolutisht asnjë. Nuk mund të flitet për heronj. Është absurde të flitet për heronj. Pati thjesht njerëz që u shfaqën në lartësinë e detyrës qytetare në atë moment historik. Kaq. Madje, mes këtyre, unë më së pari, do veçoja ata që, menjëherë pas shpalljes së pluralizmit politik (ky është momenti që duhet shquar në atë njëpasnjëshmëri ngjarjesh: pluralizmi politik), iu kthyen jetëve të tyre.

Disa ikën jashtë Shqipërisë. Disa edhe sot nuk janë bërë të gjallë. Disa janë bërë të gjallë për të kritikuar sundimtarët e rinj, që erdhën në pushtet pas komunistëve. Këta pra, janë heronjtë e mi. Luftojnë, ia arrijnë qëllimit dhe nuk nxjerrin gjoksin. E njihni ju Pal Serreqin? Me siguri, nuk e njihni. Sepse ai kurrë nuk u ngrefos.

Madje, edhe tani që po ia përmend unë emrin, atij me siguri i vjen zor atje ku është, i zhytur në përunjësinë e tij. Mirëpo, andej nga viti 1993 apo 1994, ky ish-student i dhjetorit refuzoi një dekoratë a medalje të Berishës. Vini re: nuk e refuzoi pas Gërdecit, as pas 21 janarit, as pasi u pa qartë se kush ishte Berisha. Jo, jo, e refuzoi në një kohë, kur ky gjest do të kalonte pa u ndierë. Siç edhe kaloi, në fakt.

E refuzoi në shenjë proteste ndaj Presidentit, që po sillej si satrap, ndaj SHIK-ut që po sillej njësoj si Sigurimi i Shtetit, ndaj një regjimi të ri që po instalohej, etj, etj. Me këtë nuk dua të them se duhet një përmendore për Pal Serreqin. Dua të them se një përmendore do duhej t’u kushtohej të gjithë atyre studentëve.

Ajo lëvizje ishte e të gjithëve. E që të jem edhe më i qartë në këtë pikë, po ju them një gjë tjetër: Më shumë çmoj Shenasi Ramën se sa Azem Hajdarin. Dhe të mendosh që me të parin më ndan një botë e tërë. Kemi vizione fare të papuqshme mbi botën.

Azem Hajdari nuk ka asnjë meritë, sipas jush?

Azemit unë i njoh meritën që shfaqi, tok me të tjerë, guxim në atë rrethanë. E theksoj: guxim për aq sa lipsej. Mirëpo, do kish qenë mirë të kish patur edhe inteligjencën për të kuptuar se misioni i tij mbaroi kur u shpall pluralizmi. Unë e di, duhet shumë inteligjencë “mazokiste” për ta kuptuar se misioni yt mbaroi, por e mira e Azemit kjo do të ishte. Ai zgjodhi të bënte tjetrën: U zhyt me kokë në politikën aktive. Dhe aty u shfaq ashtu si ishte: i vogël, i pafuqishëm, pa ide, poterexhi, sektar, frikacak.

Frikacak?

Po, po, edhe frikacak. Kishte një kompleks, droje e frikë ndaj Berishës. E me që ra fjala, më duhet të them këtu, se ka pasur vetëm një shqiptar që e ka poshtëruar Azem Hajdarin. Emri i tij është Sali Berisha. Të tjerët, thjesht kanë bërë kritika ndaj tij. Siç është edhe kjo që po bëj unë.

Po ju çfarë mendoni për Azem Hajdarin që keni njohur? Sepse ju thoshit që e keni njohur.

Unë e kam takuar disa herë në jetën time. Dhe vetëm në një rast kemi ndenjur bashkë, pa praninë e të tjerëve, një ditë të tërë, në Skrapar. Dhe kam kujtime të mira në planin e një marrëdhënieje personale. Ishte spontan, instiktiv, me një brio të lezetshme antikomuniste, dhe me veset e limitet që ai i kishte të shumta, si shumë të tjerë. Por këta nuk i bëjnë homazh këtij lloj Azemi.

Këta i bëjnë homazh një Azemi që nuk ka ekzistuar. “Personaliteti më i jashtëzakonshëm i këtij kombi”, e quajti Berisha në Tropojë (shihni në http://ëëë.syri.net/politike/ 104140/tropoje-perurohet-shtatorja-madheshtore-e-azem-hajdarit-marrin-fjalen-personalitete-te-shquara/). Përsëris: Personazhi më i jashtëzakonshëm i këtij kombi!!!! Hë, duhet besuar kjo? Më lehtë mund të besohet që unë kam fjetur me Berishën. Dhe kuptohet, kur thuhen marrina të tilla, personazhi të zvjerdhet fare edhe sikur të ketë pasur vlera.

Me pak fjalë, ju mendoni se shtatoret janë të tepërta? Nuk i takojnë?

Absolutisht jo. Pastaj, unë jam me idenë se shtatoret në këtë vend duhen ngritur jo për njerëz të fortë e trima. E kemi mbushur Shqipërinë me buste kushtuar njerëzve me prerje si të Azem Hajdarit, Avni Rustemit, Isa Boletinit etj; dhe me lapidarë e simbole nderimi kushtuar ngjarjeve e personazheve pa rrezatim kombëtar. E dini ju se çfarë ka qenë Myslym Shyri, meqë ra fjala? Një partizan i thjeshtë. Tani, unë nuk jam kundër që një partizan i thjeshtë komunist që ka dhënë jetën në luftë kundër pushtuesit të huaj të nderohet. Përkundrazi, personazhe të tillë më emocionojnë.

Por nuk mund të bie dakord që rruga më e mirë e Tiranës të mbajë emrin e një partizani të thjeshtë. Kësaj rruge do t’i shkonte fare mirë emri i Eqrem Çabejt, Lord Byronit, Edith Durhamit, Vaso Pashës, Gjergj Fishtës, Elena Gjikës, De Radës, shoqërisë Vatra, Fan Nolit, Faik Konicës, Ndre Mjedës, Ismail Qemalit etj., etj. Mirëpo, askush nuk kujtohet ta bëjë këtë rrokadë. Në këtë kuptim është krejt e palogjikshme, dhe fyese, që statuja e Azem Hajdarit (më ndjeni, duhet në shumës: statujat) të jenë më të mëdhatë që ekzistojnë në këtë vend, pas atyre të Skënderbeut. Kësaj i thonë të përdhunosh historinë.

Por për vrasjen e Azem Hajdarit ç’mendim keni?

Ka mbetur e paqartë ajo që ka ndodhur. Gjykatat shqiptare kanë dalë në përfundimin se ai është vrarë për gjakmarrje. Dhe kjo është e vetmja vulë që shteti i ka vënë asaj ngjarjeje. Në kujtesën institucionale e juridike të shtetit shqiptar, Azem Hajdari është një i vrarë për gjakmarrje.

Dhe askush ndër miqtë, familjarët, e mbështetësit e tij nuk është kujtuar “për t’ia vënë nderin” në vend, d.m.th askush nuk është kujtuar ta rihapë atë gjyq, në mënyrë që të dalë në dritë një e vërtetë tjetër, aq e pretenduar prej të tijve. Kjo do të thotë se as për ata nuk ka një të vërtetë tjetër. Kjo do të thotë se Azem Hajdari është vrarë për gjakmarrje. Ky fakt afërmendsh nuk e çnderon Azem Hajdarin. Por aq më pak e heroizon.
Shtuar më 30/10/2017, ora 18:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori