Mustafa kritikon ministrat Shala e Hoxhaj
Albeu.com
Opozita nuk duket të jetë kritikuesja e vetme e Qeverisë. Një gjë të tillë e ka bërë të martën edhe nënkryetari i PDK-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa. Në një debat me temën “Duke pritur vendimmarrjen”, të organizuar nga “Forumi 2015”, nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa, e ka shprehur vlerësimin e tij se Qeveria Thaçi me ministër Ahmet Shalën nuk mund ta zhvillojë Kosovën, por vetëm se do ta përkeqësojë edhe më tej ekonominë e saj. Deputeti Mustafa e ka cilësuar ministrin Ahmet Shala si një menaxher të dobët, i cili nuk po mund t’i organizojë kapacitetet në dikasterin që ai e drejton, duke shkaktuar kështu edhe mbyllje të bizneseve.
“Për zhvillimin ekonomik jemi përpjekur për të gjetur njerëz më të mirë në qeveri që organizojnë kapacitetet. Mirëpo te zhvillimi ekonomik nuk është te një person i duhur sado që ai ka qenë jashtë dhe ka kryer kurse dhe shkolla, pra e kam fjalën për ministrin e Financave, Ahmet Shala, i cili nuk po mund t’i organizojë këto kapacitete dhe kështu ka rrezik edhe për mbyllje të bizneseve”, është shprehur nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa. Fjalë të mira ky i fundit nuk ka thënë as për ministrin e MASHT-it, Enver Hoxhaj. Sipas Mustafës, reformimi në arsim nuk mund të bëhet duke ndërtuar shkolla e duke ndryshuar terminologji të Ligjit për arsim.
“Reformimi në edukim nuk duhet të kuptohet si ndërtim i shkollës apo të kuptohet si ndërrim i terminologjisë prej planprogramit në kurikulë, sepse dihet se vendi ynë ka nevojë për reformim të mirëfilltë të sistemit arsimor”, është shprehur nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa. Me këtë rast ai ka çmuar lart punën e hartuesve të raportit, “Duke pritur vendimmarrjen”, të cilët i ka quajtur si infuzion për ndryshimin e gjendjen aktuale në vend.
Shtuar më 14/07/2010, ora 11:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori