Mustafa: Do te zhvillojme edhe pjeset rurale te Prishtines
Albeu.com
Kryetari i Prishtinës dhe kandidati i LDK-së për kryetar të kryeqytetit Isa Mustafa gjatë një vizite që i bëri të shtunën fshatit Suteskë, u ka garantuar banorëve se do të vazhdojë me zhvillimin e pjesëve rurale.
“Unë ju garantoj që të gjitha ato që u themi do t'i realizojmë brenda një periudhe që kemi para nesh. Kemi një periudhe katër vjeçare në të cilën mund të bëjmë shumë punë, që të krijojmë kushte shumë më të mira në fshat. Do të barazojmë kushtet e ekonomisë, kushtet e shkollimit, kushtet e jetës së të rinjve me ato që janë në qytet me qëllim që të mos ndihet në asnjë nevojë për të shkuar në qytet”, ka thënë kryetari Mustafa.

Mustafa ka përmendur projektet që janë realizuar në këtë pjesë të komunës së Prishtinës, siç janë ndërtimi i rrugëve, ndërtimi i objektit shkollor i cili është në përfundim e sipër, pastaj ndërtimi i urave që janë duke u bërë.

“Ne do të vazhdojmë kështu edhe në pjesët tjera rurale. Në këtë pjesë kemi ndërtuar dy rrugë shumë të rëndësishme,rrugën që qon ne fshatin Marevc dhe atë për në Gllogovicë e Hajkobillë e Dabishec. Do të ndërtojmë edhe rrugë të tjera në mënyrë që ta bëjmë një rrjet të rrugëve të cilat pastaj mundësojmë qasje dhe komunikim shumë më të mirë të fshatrave mes vete por edhe me qytetin”, ka thënë kryetari Mustafa.

Mustafa ka thënë se është shumë i interesuar dhe ka garantuar se do të shfrytëzohen begatitë e asaj pjese të komunës në mënyrë ekonomike që njerëzit të mos kenë nevojë të shkojnë në qytet për të kërkuar punë por ta kenë punën këtu që njërëzit ta kenë standardin më të mirë në këtë pjesë të komunës së Prishtinës.
Kryetari Mustafa u ka garantuar banorëve se do të ndërtohet rrjeti i kanalizimit në mënyrë që ta liqeni të mbrohet nga ujërat e ndotura.

Mustafa ka thënë se me organizimin e ri të qytetit, fshatrave të komunës së Prishtinës do tu mundësohet ndërlidhje shumë me e fortë me kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Duke folur për vizionin për katër vitet e ardhshme kryetari Mustafa u ka garantuar banorëve se do të sigurohet uji i pijshëm për të gjitha fshatrat dhe pjesët e qytetit të cilat nuk kanë ujë.
Sa i përket sektorit të arsimit kryetari Mustafa tha se qëllim tjetër kryesor është që në çdo shkollë qoftë në qytet apo fshatra të mos punohet më shumë se në dy ndërrime dhe se ky qëllim do të arrihet për dy vjet.

“Unë kam besimin e plotë tek ju se ju do ta zgjidhni subjektin më të mirë, kryetarin më të mirë që ju i besoni”, ka thënë kryetari Mustafa. (rtk)
Shtuar më 18/10/2009, ora 18:01
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori