Mungesë alternativash qeverisëse...!
nga Erion Muça -

Protesta e para pak ditëve e opozitës dhe përfshirja në ngjarjet e fundit në korrupsion dhe trafik narkotikësh e të afërmve dhe vetë funksionarëve të qeverisë, vulosi përfundimisht mungesën e alternativave politike për në mirëqeverisjen e vendit.

Lidershipi i djathtë prej marrjes së drejtimit nga kryetari aktual, para dhe pas çadrës së bulevardit, duket se e ka humbur busullën duke qenë i paqartë, i paorientuar në raport me vizionin, premisat, prespektivën e nevojshme të zhvillimit të së djathtës në Shqipëri dhe paralelisht jo i gatshëm për drejtimin e vendit. Mungesa e autoritetit publiko-mediatik, karizmës dhe elementeve të lidershipit të fortë, të kryetarit aktual të partisë demokratike, po ul progresivisht imazhin publik dhe peshën e së djathtës në elektorat. Mosndikimi në strukturat e tjera ekzekutive dhe drejtuese, për ti nxitur të angazhohen seriozisht në nismat e ndërmarra nga ana e tij, po e distancon dhe ftoh ndjeshëm marrëdhënien e tij profesionale me pjesën tjetër të partisë.

Përplasjet e brendshme midis të vjetërve dhe të rinjve në poste të rëndësishme brenda partisë demokratike po sjellin vazhdimisht përshtjellime pakënaqësish të cilat kanë krijuar klanizime dhe beteja influencash të kuptuara tek qytetarët si përçarje të brendshme. Përfshirja dhe promovimi në pozita të rëndësishme e individëve duke gëzuar dhe privilegje pa asnjë lidhje dhe kontribut me të djathtën, ku bashkë me mungesën e përvojës politike por edhe publike shpesh janë kthyer në personazhe satire në media të ndryshme, kanë krijuar idenë dhe përforcuar bindjen tek qytetarët të rënies së nivelit intelektual të figurave të së djathtës në tërësi ҫka përbën një dëm imazhi dhe prestigji.

Mungesa e inteligjencës në konceptimin e strategjive dhe aksioneve politike, mosgjetja e kauzave sensitive për të lëkundur dhe tronditur nga themelet qeverine aktuale, shterimi dhe varferia në ide e kreativitet për të ndërmarrë aksione opozitare me ndikim të fuqishëm, ka sjellë në seri shpërfillje nga mbështetësit dhe indiferencë tek qytetarët. Ndryshimet e keqplanifikuara në organikë si dhe konfuzioni dhe përplasjet brenda strukturave dhe organizatave si dhe mosrespektimi i pikave të statutit dhe programit mbi kompetencat dhe mandatin e kryetarit por edhe në lidhje me procedura të tjera, po transmetojne në publik mungesë aftësish menaxheriale dhe drejtuese të kryetarit aktual të opozitës.

Përceptimi në publik i figurës së kryetarit aktual si produkt i ish-kryetarit historik ende me një influencë dhe kontribut të lartë brenda së djathtës por të padeleguar aq sa duhet të kryetari aktual, po krijon nënvlerësim të figurës së tij nga figura të tjera të hershme të së djathtës, të cilët nuk shohin tek ai parametrat e një drejtuesi të hekurt, të pandikuar dhe të pavarur në drejtimin e partisë. Panatyrshmëria dhe keq sinkronizimi i veprimeve politike me Lëvizjen Socialiste për Integrim e gjendur e hallakatur, në braktisje të vazhdueshme si dhe në rrezik shkrirje dhe humbjesh të mëdha pas largimit të ish-kryetarit të saj sot president, parti e cila ka pot e njëjtin problem midis kryetarit dhe pjesës tjetër të partisë, po sjell një dispropocion midis deklaratave për një bashkim të fuqishëm opozitar por fatkeqësisht të padukshëm fare në intensitetin e veprimeve dhe aksioneve konkrete opozitare në terren.

Mosndërtimi dhe mosprezantimi i unifikuar i një platforme të përbashkët të aksioneve politike të së djathtës dhe humbja e shpejtë e mbështetësve si rrjedhojë e betejave të vazhdueshme të humbura, reflektuar edhe në pjesëmarrjen e ulët në protestën e fundit, po sjellin dita-ditës përballë qytetarëve shqiptarë një alternativë aspak konkuruese dhe dinjitoze për votëbesimin e qytetarëve shqiptar. E djathta duhet të riparojë urgjentisht këto problematika për të marrë në dorë me pjekurinë, përgjegjshmërinë, seriozitetin dhe autoritetin e duhur drejtimin e vendit.

Lidershipi i majtë politik sidomos ato figura që janë në poste drejtuese në qeveri, përditë e më shumë po përfshihen në skandale si të përlyer në afera dhe denoncime periodike po na paraqesin dhe shpesh lënë të kuptojmë se si po shpërdorohet pushteti për kapital politik dhe perfitime në kurriz të interesave të qytetarëve. Eksponente të së majtës duke u angazhuar në mirëqeverisjen e vendit po duket se në një peshore midis rezultateve të punës së aksioneve dhe investimeve të qeverisë në raport me klientelizmin, nepotizmin, oligarkinë dhe centralizimin e lejimit dhe dhënies së të drejtave të shfrytëzimit dhe investimit në kuadër të partneritetit public privat, peshorja po anon dukshëm edhe publikisht nga abuzivizmi dhe shpërdorimi i fondeve publike dhe i pushtetit në dëm të vendit dhe në favor të interesave personale të pushtetarëve në pozita drejtuese dhe qeverisëse.

Nga ky koncept kemi të bëjmë me një angazhim dhe sipërmarrje fasadë të mirëlustruara por jo shumë të kuruara në daljet publike ku pakujdesia në to ka sjellë realitetin e ngjarjeve të aktualitetit politik tek qytetarët. Qytetarët po akumulojnë duke u ngopur një pakënaqësi progresive të punës së qeverisë aktuale të ndikuar edhe nga shtrenjtësia e jetesës por edhe rritja e disa taksave së fundmi që në raport me të ardhurat për frymë, nivelin e pagës minimale dhe shifrën e të punësuarve që marrin një page minimale, po e vështirëson përditë bashkëjetesën e lumtur dhe pajtimin absolut të mënyrës sesi po qeveriset vendi.

Skandalet e fundit ku funksionare të lartë akuzohen për përfshirje në trafikun e drogës, tendenca për centralizimin dhe monopolizimin e shumë shërbimeve nga një nr i kufizuar kompanish duke dëmtuar indirekt konkurueshmërinë dhe lirinë në treg, rritja e pragut të TVSH-se për bizneset e vogla, etj aksione po lëkundin fort pozitën e të majtës në elektorat, si një alternativë tanimë me një ndikim të zbehur në krahasim me muajt e fillimit të marrjes për së dyti të mandatit qeverisës. Lënia mënjanë e figurave profesioniste dhe mospërfshirja e shumë figurave autoritare dhe të vlerësuara të së majtës në postet e ministrive të rëndësishme dhe zëvëndësimi i tyre me njerëz anonimë fatkeqësisht pa prestigjin e nevojshëm publik favorizues për një punë të realizuar dhe promovuar mirë, zë jo pak vend në qasjen negative që ka imazhi i qeverisë përballë qytetarëve dhe publikut.

Sulmi permanent i kryeministrit kundër gazetarëve me karakter dhe tendencë intimiduese po jep efektet e veta pasi tashmë përceptimi në publik tregon pa ekuivok arrogancën e kryeministrit jo vetëm përballë gazetarëve por dukshëm edhe në qeverisjen e vendit. Mungesa e transparencës si dhe distancimi jo fort i dukshëm i kryeministrit të vendit nga përfshirja e funksionarëve të qeverisë në trafikun e drogës, e njollos sidomos në rrogozin dhe prapaskenen politike, pastërtinë e tij në raport me paligjshmërinë, aq më tepër me taktikat dhe strategjitë influecuese dhe indirekte që po përdor publikisht dhe politikisht, për ti mbrojtur në dëm të vetes dhe imazhit të qeverisë që drejton. Ndërmarrja e disa nismave aspak të konsultuara si dhe me studime dhe ekspertiza të cekëta e jo shume profesionale në konҫesione, investime në infrastrukturë, në planin urbanistik dhe dhënien e lejeve të ndërtimit, ku pamaturia apo tendenca e fshehtë për të përfituar, po e llumos gradualisht imazhin dhe përshtypjen pozitive publike, duke zbehur edhe peshën pozitive publike të investimeve si dhe punëve serioze dhe profesionale që po kryhen.

Të gjithë këto argumente dhe fakte nuk do të sjellin një reflektim të menjëhershëm dhe të shpejtë nga ana e qeverisë dhe kryeministrit por edhe nga ana e opozitës dhe kryetarit të saj, atëherë opozita do jetë shumë larg qeverisjes së vendit ndërsa qeveria e tanishme nuk ka për të qenë edhe për pak kohë, alternative e denje për qytetarët shqiptarë.
Shtuar më 29/05/2018, ora 08:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori