Mujota s'hidherohet me Konjanovskin
Albeu.com
Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Fehmi Mujota, nuk i ka mbet aspak hatri pse homologu i tij maqedonas, Zoran Konjanovski nuk e ka ftuar në Konferencën rajonale për NATO integrimet e Evropës Juglindore që mbahet nga 31 maji e deri më 1 qershor në Manastir.
“Ne kemi marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë, dhe nuk besojmë se kjo mos ftesë do të ndikojë në raportet ekzistuese të mira në mes të dy ministrive”, tha për “Lajm” zëdhënësi i MFSK-së, Ibrahim Shala. Ai sqaron se MFSK, përmes Qeverisë së Kosovës, ka bërë kërkesë zyrtare që të jetë anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në fillim me status të vëzhguesit, në kuadër të nismave edhe të Qendrës së Bashkëpunimit Regjional në fushën e sigurisë dhe jemi në pritje të një përgjigjeje pozitive.
Nga 31 maji e deri më 1 qershor në Manastir Organizohet konferenca rajonale për NATO integrimet, ku janë ftuar dhe marrin pjesë të gjitha vendet e Evropës Juglindore, në përjashtim të Kosovës. Mos ftesën e Kosovës në këtë Konferencë, Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë e arsyetoi më atë se Konferenca organizohet në bashkëpunim me Qendra rajonale për bashkëpunim sigurues RAKVIAK, dhe se Kosova nuk është as anëtare dhe as mbikëqyrëse e kësaj qendre. Konferenca rajonale do të hapet nga ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Zoran Konjanovski më 30 maj në lokalitetin antik Heraklea Linkestis, pranë Manastirit, ndërsa kanë konfirmuar vajtjen ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, Kroacisë, Branko Vukeliq, Sllovenisë, Lubica Jelushiq dhe Turqisë, Vexhdi Gjonyl, si dhe zëvendësministrat e Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi, sekretari shtetëror i Mbrojtjes së Serbisë, përfaqësues nga Qendra rajonale për bashkëpunim sigurues RAKVIAK, delegacione të larta të mbrojtjes nga Brukseli dhe nga Komanda e NATO-s në Napoli. (Lajm)
Shtuar më 30/05/2010, ora 11:29
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori