Muharrem Kushe: Përse vendosa të jap dorëheqjen
Albeu.com
Flet per gazeten "Tirana Observer" kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës Z. Muharrem Kushe. Ai rrëfen arsyet që e detyruan të heqë dorë pas tetë vitesh nga drejtimi i shkallës së dytë të gjyqësorit në kryeqytet. Juristi me eksperiencë të gjatë në drejtësinë shqiptare është shprehur në dorëheqjen se shkaku kryesor janë tendencat e ish-ministrit Fatmir Xhafaj, të cilat çuditërisht mbështeten edhe nga ministri aktual, Aldo Bumçi.Pasaporta

Emri: Muharrem
Mbiemri: KUSHE
Data e lindjes: 08.12.1951
Vendi i lindjes: Skrapar

Arsimimi:
Fakulteti i Shkencave Politiko-Juridike, dega Drejtësi, Universiteti i Tiranës

Punesimi:
Shkurt 1999 - Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Shtator 1997 - Kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë
Shkurt 1994 - Avokat
Mars 1993 - Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë
Maj 1992 - Zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë
Nëntor 1982 - Anëtar i Gjykatës së Lartë
1977 - Zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Gjirokastër

Detyra te tjera qe kryen aktualisht:
Aktualisht: Kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë

Tituj shkencore:
Mban titullin Doktor i Shkencave, akorduar në vitin 1991

Aktiviteti:
Ka udhëhequr tema për marrjen e gradës shkencore, si dhe tema nga studentë të Shkollës së Magjistraturës

Botime:
Një numër artikujsh shkencorë në disa organe të shtypit dhe revista shkencore
Pjesëmarrje në grupe të ndryshme pune për legjislacionin, ligje të veçanta

Kualifikime:
Trajnime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit

Gjuhet e Huaja:
Rusisht
Anglisht


Pas 30 vitesh eksperiencë vendosi të heqë dorë nga toga e zezë e gjyqtarit. Kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Muharrem Kushe, i dorëzoi dje zyrtarisht presidentit Alfred Moisiu dorëheqjen e parevokueshme. Në një intervistë ekskluzive për “Tirana Observer”, Kushe rrëfen arsyet që e detyruan të heqë dorë pas tetë vitesh nga drejtimi i shkallës së dytë të gjyqësorit në kryeqytet. Juristi me eksperiencë të gjatë në drejtësinë shqiptare është shprehur në dorëheqjen se shkaku kryesor janë tendencat e ish-ministrit Fatmir Xhafaj, të cilat çuditërisht mbështeten edhe nga ministri aktual, Aldo Bumçi. Në fund, Kushe tregon se në të ardhmen ka vendosur të ushtrojë profesionin e avokatit, të cilin e ka pasur gjithmonë si pozicionin më të përzemërt.
Përse vendosët të jepnit dorëheqjen?
Arsyet se përse ndërmora këtë vendim i kam paraqitur qartë në dorëheqjen time të parevokueshme që dorëzova në Presidencë. Zyrtarisht, dorëheqjen e paraqita sot, ku dhe kam vënë në dijeni presidentin që është dhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kështu që po ju citoj në ligjëratë të drejtë se çfarë përmbante teksti. Ky vendim në këtë moment s’ka të bëjë me arsye shëndetësore apo profesionale. Shkaku kryesor se përse po jap dorëheqjen, janë tendencat e hapura të ish-ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, për Gjykatën e Apelit në tërësi, të cilat çuditërisht u mbështetën dhe nga ministri i ri aktual, Aldo Bumçi. Shpreh keqardhjen që largohem nga detyra e gjyqtarit, të cilin e kam ushtruar për 30 vjet në të gjitha nivelet dhe i uroj suksese të gjithë kolegëve që ndiejnë dhe kanë ndierë respekt për mua.
Ju keni dhënë dhe një herë më parë dorëheqjen në vitin 1993 dhe përsëri u kthyet në gjyqësor. Po kësaj radhe, si do të veproni?
Është e vërtetë që kam dhënë dorëheqjen në atë vit dhe u riktheva pak kohë më vonë përsëri në gjyqësor. Arsyeja që u riktheva ishte që unë të vazhdoja të jepja kontributin tim ndaj gjyqësorit e kështu ndodhi. Ndërsa sot dorëzova një kërkesë, ku kërkoja dorëheqje nga kjo detyrë.
Në 30 vite eksperiencë në gjyqësor duhet të keni gjykuar shumë dosje. Kush mund të quhet procesi më i bujshëm për të cilin keni dhënë vendim?
Kjo eksperiencë e gjatë ka me vete edhe numrin e madh të dosjeve, për të cilat kam marrë vendime. Si proces më i bujshëm mund të cilësoj gjykimin e Nexhmije Hoxhës, Ramiz Alisë dhe shumë bllokmenëve të tjerë. Në fakt, për atë proces e majta ekstreme në atë kohë u shpreh se ndaj meje kishte ushtruar ndikim shumë të madh presidenti i asaj kohe, Sali Berisha. Por në fakt unë sot mund ta them të vërtetën. Për atë proces nuk kam pasur ndikim nga asnjë person, por kam dhënë një vendim, ashtu siç e kam gjykuar vetë.
Tani që dhatë dorëheqjen me se do merreni?
Edhe këtë e kam shpjeguar në dorëheqje. Tani që dhashë dorëheqjen do jetoj jetën time private. Kam vendosur të punoj avokat, profesion të cilin e kam dashur gjithmonë.

Moisiu njihet me kërkesën e Kushes
Presidenti i Republikës dhe në të njëjtën kohë kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Alfred Moisiu, u njoh dje me dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të Apelit, Muharrem Kushe. Burime pranë Presidencës bëjnë të ditur se kreu i shtetit është njohur me kërkesën e Kushes, që ka mbërritur zyrtarisht në këtë institucion shtetëror. Të njëjtat burime shpjegojnë se duke qenë se dorëheqja është e parevokueshme, atëherë presidentit nuk i mbetet shumë për të bërë pas këtij veprimi. Deri pak kohë më parë, kreu i shtetit, Moisiu, ulej në një tavolinë me Kushen në mbledhje të ndryshme, duke qenë se ky i fundit ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nuk dihet ende se çfarë qëndrimi do të mbajë Moisiu. Ndërkohë që Kushe e ka vendosur largimin e tij nga gjyqësori.

Procesi i bujshëm, dënimi i Nexhmije Hoxhës
Në vitin 1994, Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe shumë VIP-a të tjerë të Bllokut do të gjykoheshin si të pandehur, pikërisht nga gjyqtari Muharrem Kushe. Ish-bashkëshortja e diktatorit do të ulej në bankën e të pandehurve, nën akuzën e shpërdorimit të fondeve publike. Ndërsa ish-presidenti i vendit, Alia, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe atë të “gjenocidit”. Ndërkohë, në të njëjtin proces po gjykoheshin edhe Hekuran Isai, Zylyftar Ramizi, Sulo Gradeci, Manush Myftiu dhe disa e tjerë. Në atë kohë, në fund të procesit, gjyqtari që kryesonte procesin vendosi të shpallte fajtore Nexhmije Hoxhën, duke e dënuar atë me tetë vjet burg. Të njëjtin fat pati dhe ish-presidenti i vendit, Ramiz Alia, i cili u dënua po me të njëjtat vite. Ndërkohë, edhe pjesa tjetër e bllokmenëve u shpallën fajtorë dhe morën dënime të ndryshme. Në ato vite, ky proces gjyqësor u cilësua si më i bujshmi, ku u morën të pandehur persona që deri pak vite më parë drejtonin jetën politike të vendit.
Tirana Observer, 06.11.2005
Shtuar më 06/11/2005, ora 17:34
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori