I mashtrojnë duke u ofruar strehim dhe transport, gratë ukrainase në shënjestër të trafikantëve

Gratë ukrainase po bien pre e organizatave kriminale të trafikimit.

Sipas burimeve nga mediat e huaja, bëhet me dije se ato gënjehen dhe merren peng nga tutorët e prostitucionit.

The Guardian shkruan se gratë dhe fëmijët refugjatë që ikin nga lufta në Ukrainë për në Poloni janë në shënjestër e tutorëve të dyshuar dhe trafikantëve të seksit që veprojnë të vetëm ose në banda të organizuara. Lajmi është bërë i ditur sipas organizatave bamirëse që punojnë në kufi.

“Ne kemi regjistruar rastet e para të tutorëve që grabisin gratë ukrainase pranë pikave të strehimit të refugjatëve në Lublin; duke u fshehur nën maskën e ofrimit të transportit, punës ose akomodimit”, tha Karolina Wierzbińska, një koordinatore në Homo Faber, një organizatë e të drejtave të njeriut me qendër në qytetin polak të Lublinit.

“Nuk janë vetëm burra,” tha ajo. “Ka gjithashtu gra që përpiqen të mashtrojnë refugjatet femra në stacionet e autobusëve.”

Wierzbińska tha se kishte pasur gjithashtu ekipe njerëzish që punonin së bashku në përpjekje për të joshur gratë me makina të paidentifikuara.

“Ne shohim ekipe që presin njerëz që mbërrijnë nga Ukraina dhe pretendojnë të ofrojnë udhëtime ose strehim për gratë e shqetësuara dhe të rraskapitura nga udhëtimi i tyre,” tha ajo.