“Tre persona ikën me vrap, njëri i priste”, dëshmitari tregon çfarë pa gjatë atentatit ndaj Bejtjas: Sa u afruan te makina…

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i së mërkurës në Fushë Krujë, me shënjestër Gentjan Bejtjan, por ku vitkimë mbeti kunati i tij dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur.

Në harkun kohor të dy viteve, ky nuk ishte atentati i parë ndaj Bejtjas, por të tjerët kishin rezultuar pa pasoja fatale.

Këtë herë plumbat u derdhën në hyrjen e banesës së tij dhe ndryshe nga të gjithë sulmet e tjerë të armatosur, plumbat këtë radhë nuk kursyen as dy fëmijët e tij mitur.

Por Gentjan Bejtja, ky personazh problematik i botës së krimit, ishte i paralajmëruar shpesh për fatin e keq që e priste.

Ai e dinte fort mirë këtë gjë, dhe ishte kjo ndoshta arsyeja përse pjesën më të mirë të kohës ai e kalonte i strukur thuajse në ilegalitet të plotë. Aq sa në fshatin Larushk, në Fushë-Krujë, ku jetonte me familjen, në këtë vilë në dukje jo edhe aq të fortifikuar, por me hapësirën e nevojshme, nga ku mund të kontrollonte të gjithë peisazhin kërcënues përreth, ai dukej shumë rrallë kohët e fundit.

Gjë për të cilën mesa duket kishin dijeni edhe shënjestruesit e tij, ata të cilët kishin kohë që e ndiqnin nga pas për ta vrarë.

Me siguri, të njëjtët, që i kishin kryer disa atentate në seri, por që kishin mundur vetëm ta dëmtonin fizikisht, por jo ta eliminonin plotësisht.

Në këtë vazhdë atentatesh, mendohet të ketë qenë edhe ai më i fundit, i ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 4 korrik 2023, këtë radhë në portën e vilës së tij, ku këtë herë, atentatorët apo porositësit e eliminimit të Gentjan Bejtjes, mesa duket kishin marrë urdhër që tashmë të qëllonin pa hezitim edhe ndaj familjes së tij, të ngushtë, dy fëmijëve të tij ende në moshë të vogël.

Ata lanë të plagosur rëndë djalin e tij të madh 13 vjeçar, dhe lënduan lehtë më të voglin, vetëm 10 vjeç.

Ndërkohë i morën jetën kunatit të tij, Ramazan Sino, 29 vjeç. Një sinjal i qartë tanimë për objektivin Gentjan Bejtja, se në arritjen e qëllimit për ta eliminuar, vrasësit nuk do të kursenin më askënd. Sado që ai të fshihej… madje as fëmijët, gjënë e tij më të shtrenjtë.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në oborrin e banesës së shtetasit Gentjan Bejtja, mëngjesin e datës 4 Korrik 2023, rreth orës 00:15, në fshatin Larushk, në Krujë, ju bëjmë me dije se si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë shtetasi Ramazan Sino, 29 vjeç, si dhe janë plagosur dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, dy të mitur të moshës 13 dhe 10 vjeç, respektivisht nipat e tij”, thuhej në njoftimin e policisë.

Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetimor, gjithçka thuhet se ka ndodhur në harkun kohor të pak minutave, në ndërrimin e mesnatës.

Autorët, të cilët dyshohen se kanë qenë tre të tillë, mendohet se e kanë pritur makinën e drejtuar nga kunati i objektivit të atentatit, në të cilët udhëtonin edhe dy nipërit e tij, në rrugën kryesore të fshatit Larushk. Vetëm 100 metra larg vilës së familjes së Gentjan Bejtjas. Ata dyshohet se sapo kanë parë makinën që të afrohej, kanë dalë me armë zjarri në duar dhe janë drejtuar me shpejtësi, drejt automjetit ku ndodheshin Ramazan Sino, kunati i Gentjan Bejtjas dhe dy nipërit e tij, në këtë rast djemtë e objektivit të vërtetë të atentatit.

Sipas provave të gjetura në vendngjarje, autorët mendohet se kanë derdhur drejt makinës së viktimave të tyre, mbi 20 plumba. Çka tregon edhe për ashpërsinë me të cilën ata kanë vepruar

 

Dosja hetimore

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, policia gjeti 24  gëzhoja plumbash. Ndërsa 4 gëzhoja janë gjetur në vendin ku ka qëndruar fillimisht e ndaluar makina e autorëve.

Me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle në 3 banesa si dhe kanë shoqëruar 3 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Personi i parë që dëgjoi krismat e gjata të armëve që vinin nga fare pranë banesës së tij, ishte një i afërm i Gentjan Bejtjas. Ai doli i pari të shikonte se ç’po ndodhte jashtë banesës së tij dhe që u përball me pamjet e rënda të atentatit. Ai tregoi për grupin hetues, se nuk mundi të shquante në errësirën e natës, autorët.

Por ndërsa grupi hetues, po kryente shoqërimet e para në lidhje me ngjarjen e rëndë, policia u lajmërua për një makinë e cila ndërkohë po digjej, jo shumë larg vendit të atentatit, në fshatin Tapizë, në Kamëz.

“Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë rrethuar zonën dhe ngritur pika kontrolli.

Në orën 00.40, në Tapizë, te ‘Lapidari’, shërbimet tona, u njoftuan dhe u gjet duke u djegur një automjet dyshohet tip ‘Volksëagen’”, njoftonte policia.

Por edhe pse vila e Gentjan Bejtjas, ishte e survejuar nga të gjitha anët e saj nga kamerat e sigurisë që monitoronin të gjithë territorin, sipas grupit hetues pamjet filmike, kanë mundur të inkuadrojnë vetëm një nga autorët e atentatit.

Edhe pse në vendngjarje, thuhet të kenë qenë edhe tre të tillë.

Gjatë kqyrjes së makinës së djegur në Tapizë, policia gjeti në brendësi të saj 3 kallashnikovë.

Ndërsa ashtu si në shumë raste të ngjashme, edhe këtë herë targat e përdorura në makinën e autorëve, rezultuan të vjedhura, këtë radhë në Tiranë.

Dëshmitari okular: “Në atë orë, kur ndodhi atentati unë isha në shtëpi. Me të dëgjuar krismat, dola të shikoja nga kati i dytë i banesës sime, që është ngjitur me atë të Gentjan Bejtjas, të cilin e kam kushëri, se çfarë kishte ndodhur. Në atë moment, unë pashë tre persona të largoheshin me vrap, por nuk munda të shquaja asnjërin prej tyre. Arrita të shquaj që një prej atentatorëve i priti në makinë. Me t’u afruar te makina, ata qëlluan sërish, këtë herë në ajër”.

Por edhe pse viktimë e sulmit mbeti 29 vjeçari, Ramazan Sino, në këtë rast kunati i Gentjan Bejtjas, grupi hetues nuk ka dyshime se objektivi i vërtetë i këtij atentati tragjik, ishte vetë ky i fundit.

Sipas grupit hetues, autorët kanë hapur menjëherë zjarr në momentin që Ramazan Sino po zbriste nga makina me nipërit e tij. Ndërsa kanë nisur të qëllojnë edhe pasi kanë kryer atentatin. Këtë herë në makinën që kishin lënë në rrugë, kjo me siguri për të frikësuar çdokënd, që ndërkohë mund tu kundërpërgjigjej me armë.

“Sipas dëshmitarëve të ngjarjes autorët kanë qëlluar dy herë. Njëherë tek banesa e Gentjan Bejtjas dhe disa herë të tjera në rrugën kryesore aty ku u gjetën dhe 4 gëzhoja, ku në total janë sekuestruar 28 gëzhoja”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas të dhënave që ka siguruar emisioni ‘Në Shënjestër’, Gentjan Bejtja thuhet të jetë kthyer në banesën e tij, vetëm një natë përpara atentatit. Gjë e cila duket se nuk i ka shpëtuar vëmendjes së vrasësve të tij, të cilët mesa duket kishin kohë që i ishin qepur nga pas për ta eliminuar.

Por që masat të cilat Bejtja kishte marrë, nuk ua kishin mundësuar një gjë të tillë.

 


Shtuar 5.07.2023 21:39