Ndryshoi genet e foshnjeve, dënohet studiuesi që habiti botën

Media shtetërore kineze njoftoi se një shkencëtar dhe dy asistentë të tij janë dënuar për shkelje të një urdhri qeveritar që ndalonte kryerjen e eksperimenteve pa leje në embrionin e njeriut. Agjencia kineze e lajmeve, Xinhua tha se He Jiankui, i cili pretendoi një vit më parë se ka krijuar foshnje me gjene të ndryshueshme, është dënuar me tre vjet burgim dhe gjobë prej 430,000 dollarësh.

Autoritetet kanë kërkuar që puna e tij kërkimore të ndalet dhe studiuesi është përjashtuar nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë në Shenzhen. Dy bashkëpunëtorët e tij po ashtu janë dënuar me të njëjtën gjobë, por më pak burg. Ndëshkimi për ta erdhi sepse kanë ndihmuar shkencëtarit që të kryente eksperimentin. Nëntorin e vitit 2018, Jianjui habiti gjithë botën, kur njoftoi eksperimentin e tij, duke përfshirë lindjen e dy vajzave binjake, genet e të cilave pretendohet se janë ndryshuar për t’i mbrojtur ato kundër virusit HIV.

“E kuptoj se puna ime do të jetë debatndjellëse, por besoj se familjeve iu duhet kjo teknologji dhe unë jam i gatshem të përballem me kritika për të mirën e të tjerëve”, pati thënë ai në atë kohë. Ndonëse pasojat e ndryshimit të geneve ende mbeten të paqarta, efektet mund të jenë të përhershme. Disa shkencëtarë druhen se në momentin kur fëmijët e nënshtruar këtij procesi do të arrijnë moshë madhore, ndryshimet gjenetike mund të barten në gjenerata, duke rezultuar me ndryshime gjenetike të racës njerëzore.


Shtuar 1.01.2020 11:33