MPB se ka ndermend te furnizohet me pasaporta ne gjuhen shqipe
Albeu.com
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), përveç kontratës për sjelljen e makinës së re për shtypje të dokumenteve personale, me firmën gjermane "Gieseke & Devrient" ka zhvilluar bisedë edhe për problematikën e pasaportave në dy gjuhë.
Nga MPB thanë se problemi qëndron tek firma, se kur ata do ta sjellin kontingjentin e radhës të pasaportave në dy gjuhë, në mënyrë të çrregullt. "Ata kanë qenë të njoftuar qysh në fillim kur u shfaq kjo mungesë, domethënë kur u harxhuan pasaportat në gjuhën shqipe. Përgjigja ka qenë se ata do të mundohen që sa më shpejtë të sjellin edhe një numër të konsiderueshëm të pasaportave, kështu që nuk është e sigurt nëse deri në fund të muajit shkurt ose në fillim të marsit do të përfundojë kjo rrëmujë", tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së. Sipas tij fajtore për mos ardhjen e pasaportave në gjuhën shqipe është firma prodhuese e pasaportave "Gieseke & Devrient". "Prodhuesi gjerman na tha se ne nuk bashkëpunojmë vetëm me ju, kemi dhe punë të tjera pasi bashkëpunojmë edhe me shtete të tjera", tha Kotevski, duke shtuar se do të presin kur ata të jenë të gatshëm për dërgim të pasaportave në mënyrë të çrregullt. Edhe pse MPB e shpall fajtore firmën gjermane, ajo nuk e ka ndërmend që ta ndërpresë kontratën me të, pasi siç thotë Kotevski, marrëveshja me këtë firmë është 12 vjeçare. "Për shkak të kontratës me ‘Gieseke & Devrient’ që kemi bërë në vitin 2005, nuk mund të bashkëpunojmë edhe me një firmë tjetër. Prandaj, zgjidhja e vetme është të presim kur ata do të bëjnë dërgesën e radhës. Kështu që, nuk e kemi mundësinë për bashkëpunim me dy firma të këtilla rreth një çështjeje", sqaroi Kotevski.

Sipas procedurave të rregullta, në maj duhet të arrijë kontingjenti i radhës dhe shqiptarët duhet të presin që të pajisen me pasaportë në gjuhën amtare. Megjithatë edhe në maj nuk dihet nëse MPB do të furnizohen me sasi të mjaftueshme të pasaportave në gjuhën shqipe. Në kontingjentin e parë, MPB ka kërkuar rreth 40 mijë pasaporta të tipit B. Deri më tani, një numër i qytetarëve shqiptarë, veç më janë pajisur me pasaportë të tipit A (pasaporta në gjuhën maqedonase) dhe deri në skadimin e afatit ata duhet të mbajnë pasaportën me mungesë të gjuhës amtare. (lajm)
Shtuar më 15/02/2010, ora 22:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori