MPB e Kosoves i dhuron tenderuesit 1.5 milione euro!
Albeu.com
Konsorciumi ‘KarposhKos-UTSCH’ është shpallur fitues i tenderit për furnizim me targa, me çmim prej 20,5 eurove për një palë targa edhe pse kishte konkurruar me çmim prej 14,3 eurove.
Në bazë të dokumenteve të siguruara nga “Koha Ditore”, në ditën e hapjes së tenderëve, më 21 dhjetor 2009, kjo kompani kishte konkurruar me çmim prej 14,3 eurove për një palë tabela, ndërsa fituese është shpallur më 9 shkurt 2010, me çmim prej 20,5 eurove.
Kjo kompani është e kontraktuar që të ofrojë mesatarisht 250 mijë tabela brenda një viti, e që i bie se do të fitojë 6 euro e 20 centë më shumë nga shuma që ka kërkuar për një tabelë, apo 1 milion e 550 mijë euro më shumë për gjithsej 250 mijë tabela, sa duhet të prodhohen brenda një viti. Nëse kërkesa për tabela kalon numrin 250 mijë, atëherë me tender është paraparë të prodhohen tabela shtesë.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka qenë e gatshme të japë sqarime gjatë ditës së enjte në lidhje me këtë tender. Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe ditë më parë zyrtarë të kësaj ministrie, mirëpo asnjëherë nuk janë dhënë sqarime.
Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Brendshëm, i ka thënë gazetës se është tepër i zënë dhe se sqarime mund të merren ditën e premte, ndërsa këshilltari tjetër, Artan Duraku ka thënë se është jashtë vendit. Gazeta ka kontaktuar edhe Zyrën për marrëdhënie me publikun të kësaj ministrie, por përgjigjja ka qenë sërish negative, madje kjo zyrë as që ka të drejtë të komunikojë me mediat!
“Përgjegjësia për me fol për media i është bartë Fisnikut (këshilltarit) dhe nuk e kam këtë kompetencë”, ka deklaruar shefi i Zyrës për marrëdhënie për publikun Bajram Mjeku.
Megjithëse kushti kryesor për shpalljen e fituesit ka qenë çmimi më i lirë, kjo gjë, si duket, nuk ka vlejtur fare. Gazeta ka siguruar edhe procesverbalin e hapjes së tenderit, në të cilin dokument janë të evidentuara së paku dy kompani që ofrojnë çmim prej 10 euro e 40 centë, ndërsa çmimi më i lartë është 34 euro e 7 centë. Kështu, kompania ‘Diari’ ka ofruar çmim prej 10,40 euro për një palë targa, njëjtë sikur kompania ‘Seykos-PBC’. Çmim më të ulët, po ashtu, ka ofruar konsorciumi VM3-WG, me 12,87 euro, që pasohet nga fituesi ‘KarposhKos-UTSCH’ me çmim prej 14,30 euro, çmim ky që megjithatë, për arsye të panjohura, është rritur në 20,5 euro. Konkurrent tjetër ka qenë ‘Malsija&EHA’ me 22,50, ASCOM Group & KIG me 26,26 dhe Reklama Toni & Besimi Com me çmim 34,07 euro.
Ministria e Punëve të Brendshme fillimisht kishte diskualifikuar të gjitha kompanitë konkurrente, përveç ‘KarposhKosit’, si kompani që nuk i përmbushin standardet.
Sipas raportit të vlerësimit, të bërë nga 5 anëtarë të komisionit (juristë e ekonomistë), të gjitha kompanitë që kishin konkurruar i plotësonin standardet për aplikim, përveç ndonjë detaji të vogël, mirëpo një raport i një eksperti të pavarur kishte bërë që vetëm kompania ‘KarposhKos-UTSCH’ të jetë e përgjegjshme. Raporti i vlerësimit është bërë nga Ramazan Mehmedi, inxhinier i diplomuar i makinerisë, i cili në raportin e tij shihet që nuk është bazuar në mostra anonime, por tabelat që ai kishte vlerësuar i ishin dërguar me emër të kompanisë që konkurronte.
“Duke i krahasuar mostrat e ofertuesve të ndryshëm, unë si anëtar i jashtëm i komisionit në mënyrë absolute si targat më kualitative i vlerësoj targat – mostrat e kompanisë ‘KarposhKos & UTSCH’, të cilat janë punuar në bazë të skicave dhe parametrave teknike: me reflektim dhe specifika të larta”, ka vlerësuar inxhinieri Mehmedi.
Duke u bazuar në prezantimet që kjo kompani ofron në faqen e saj të internetit, Mehmedi ka vlerësuar se kjo kompani vërtet është pa konkurrencë.
“Këto specifika dhe kjo traditë e kompanisë mund të shihen qartë dhe saktë në ueb-faqen e tyre dhe në katalogun e prezantuar nga ta”, thuhet në këtë raport vlerësues.
Përveç vlerësimit të shkëlqyer që i ka dhënë reflektimit, ndriçueshmërisë dhe sigurisë së lartë të tabelave të kësaj kompanie, Mehmedi në raport nuk ka dhënë ndonjë detaj nëse ka ndonjë institut apo laborator që bën matjen e këtyre parametrave.
Pasi që ishin diskualifikuar të gjitha kompanitë nga inxhinieri Mehmedi, Ministria e Punëve të Brendshme kishte kërkuar nga Agjencia e Prokurimit Publik që t’i lejonte të vazhdojë procedurat e prokurimit me vetëm një konkurrent, konsorciumin ‘KarposhKos-UTSCH’. MPB-ja kishte kërkuar që të revokohet neni 30A.4 i Ligjit për Prokurim Publik, nen ky i cili nuk lejon vazhdimin e procedurave të prokurimit nëse mbetet vetëm një konkurrent. Mirëpo, APP-ja nuk kishte menduar kështu dhe kishte sugjeruar hapjen e tenderit të ri.
“APP-ja beson se nuk janë përmbushur kërkesat për të hequr dorë nga neni 30A.4 të LPP-së (Ligji për Prokurim Publik) dhe se anulimi i aktiviteteve të prokurimit dhe fillimi i një aktiviteti të ri të prokurimit nga autoriteti kontraktues, (MPB), do të rezultonte me një pjesëmarrje dhe pranim të një numri të mjaftueshëm të tenderëve të përgjegjshëm”, thuhet në vendimin e APP-së, të datës 21 janar 2010.
Mirëpo, vendosmëria e MPB-së që të vazhdojë me firmën e përcaktuar kishte vijuar dhe kështu i ishin drejtuar Organit shqyrtues të prokurimit, organ ky që e ka rrëzuar vendimin e APP-së.
Më 9 shkurt 2010, është marrë vendim nga OSHP-ja për aprovim të kërkesës së MPB-së që të vazhdohen procedurat e prokurimit dhe është anuluar si jo i bazuar vendimi i APP-së, me arsyetimin se ekziston nevoja e furnizimit sa më parë me tabela të reja të Republikës së Kosovës. “MPB-ja për momentin ka kontratë për furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve, kurse nevoja për furnizim me targa normale, diplomatike është shumë e madhe, prandaj na është e nevojshme ta zgjedhim kontraktuesin e ri për furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve. Kjo njëherësh do të ndihmojë në shfrytëzimin racional, efikas dhe të arsyeshëm të mjeteve buxhetore të ndara për këtë dedikim”, thuhet në këtë arsyetim.
Tenderi për furnizim me targa të automjeteve është rishpallur në dhjetor 2009 dhe ende nuk janë marrë vesh arsyet pse MPB-ja e kishte anuluar tenderin e parë. Gazeta ka raportuar gjatë dhjetorit 2009 dhe janarit 2010 se tenderi i parë për furnizim me targa të regjistrimit të automjeteve dyshohet se ka dështuar për shkak të luftës së madhe ndërmjet zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës që njerëzit e afërt të tyre apo bashkëpunëtorë të tyre të jenë fitues të këtij tenderi. MPB-ja i kishte thënë gazetës se për shkak të ankesave të kompanive që nuk kanë fituar, ishte rishpallur tenderi, mirëpo një gjë e tillë nuk ka dalë e vërtetë. Gazeta ka verifikuar të gjitha procedurat e tenderimit dhe janë kontaktuar kompanitë konkurrentë që nuk kishin pse të bënin ankesa, ngase nuk ishte shpallur asnjëherë ndonjë fitues. Ministria ka zgjedhur të heshtë. Një burim i gazetës brenda ministrisë, me kusht anonimiteti, ka thënë se qëllimi i grupit të brendshëm të MPB-së, që bën vlerësimin e tenderit, është të shpallë fitues konsorciumin gjermano-shqiptar UTSCH.
“Nuk është aspak e vërtetë që ka dështuar tenderi i parë për shkak të ankesave, siç ka thënë ministria, sepse nuk është ankuar askush për arsye se nuk kanë shpallur fitues. Nuk kanë mundur ta shpallin fitues atë që kanë dashur, sepse ka pasur ofertues më të mirë, andaj edhe e kanë anuluar, arsye tjetër nuk ka pasur”, është shprehur burimi, një zyrtar i lartë në MPB.
Sipas po të njëjtit burim të gazetës, personi brenda Qeverisë së Kosovës që është duke ushtruar presion që fitues të shpallet ‘KarposhKos-UTSCH’, është këshilltari i kryeministrit Shaip Muja. Ky i fundit ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me këtë kompani.
E të gjitha këto procedura të pakuptimta të prokurimit, që vazhdojnë të zgjasin, më së shumti i bëjnë dëm qytetarëve, të cilët që nga 20 dhjetori i vitit 2009 nuk mund të marrin tabela për veturat që i regjistrojnë. Në vend të tabelave, fillimisht në qendra të regjistrimit të automjeteve janë dhënë letra, ku janë shënuar numrat e tabelave, ndërsa tani u thuhet qytetarëve që të presin deri sa të dalin tabelat e reja. Pronarë të dy kompanive që janë përjashtuar nga procedurat e tenderimit, i kanë thënë gazetës se tashmë kanë dorëzuar ankesat në MPB, ku kanë specifikuar të gjitha parregullsitë në këtë tender, procedura këto që sipas Ligjit të prokurimit publik do të zgjasin së paku 2 deri në 3 muaj.
Shtuar më 20/02/2010, ora 15:36
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori