Motra e Lul Berishës pastroi miliona USD? Hetimet: Zbulohet dhe një lidhje me “të penduarin” e Shullazit..
Luljeta Berisha, motra e ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, është prej një viti duke u hetuar për akuzën e pastrimit të parave, pasi dyshohet që të ketë pastruar miliona dollarë.

Luljeta Berisha, rezulton të ketë marrë borxh një shumë të konsiderueshme parash, nga biznesmeni Ylvi Beqja. Ky i fundit, prej muajsh mban statusin e të penduarit të drejtësisë, pasi ka pranuar të dëshmojë kundër Emiljano Shullazit dhe miqve të tij, të cilët i akuzon se i zhvatën shuma të mëdha parash nën presion fizik e psikologjik.

Ylvi Beqja, është thirrur nga prokuroria e Durrësit, për t’u pyetur lidhur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por ende nuk janë marrë deklarimet e tij, për shkak të statusit që gëzon si i penduar i drejtësisë, në çështjen më të shumëpërfolur të kohëve të fundit, që po hetohet nga krimet e rënda, shkruan News 24.

Ndërkohë, për të vërtetuar dyshimet e ngritura se personi nën hetim Luljeta Berisha e ka kryer veprën penale të pastrimit të parave, prokuroria e Durrësit, ka nisur në drejtim të disa shteteve letër porosi duke kërkuar informacion lidhur me llogaritë apo pronat që ajo dhe të afërm të saj zotërojnë.

Nga verifikimet e para rezulton se Luljeta Berisha, nuk e justifikon me burime të ligjshme pasurinë që zotëron, për shkak se për periudha të gjata ka qenë e papunë dhe pa asnjë të ardhur financiare.

Ky hetim i ri i hapur ndaj motrës së Lulzim Berishës, duket se do të verë sërish në qendër të vëmendjes familjen e tyre.
Pak javë më parë, emri i ish-kreut të bandës së Durrësit u lakua mjaft pas lirimit me kusht nga gjykata e Apelit Durrës.

Për lirimin e tij, është akuzuar dhe dërguar prapa hekurave, drejtori i burgut të Durrësit, Astrit Kotaj, ndërsa kërkohet juristi Teodor Labi. Çështja hetohet nga prokuroria e Tiranës, pasi nën hetim janë vënë dhe gjykatësit që dyshohen se favorizuan Lulzim Berishën për të përfituan lirinë me kusht./Albeu.com/

Shtuar më 01/02/2017, ora 17:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori