MOTI I KEQ/ Viktima në Korçë baba i 2 fëmijëve, pas divorcit mbeti pa shtëpi
Pëlqej
Janë zbardhur detaje të dhimbshme nga jeta e prerë në mes nga i ftohti ekstrem për 60¬ vjeçarin në Korçë, duke e çuar kështu në 4 numrin e personave që humbën jetën në këto ditë dimri, për shkak të motit të acart. Viktima i identifikuar si shtetasi Ilia Lifo është gjetur i pajetë në një punishte të vjetër, të cilën e kishte përshtatur si banesë prej gati një viti.

60-vjeçari është gjetur rreth orës 10:00, në ambientet e braktisura të ish-Poligonit të bonifikimit, një zonë periferike dhe me shumë pak lëvizje. Sipas të dhënave, trupi është konstatuar nga disa të njohurit e tij, të cilët banonin në afërsi të kësaj zone, raporton “Panorama”.

Pasi kanë shkuar mëngjesin e së martës për ta thirrur, ata kanë hyrë brenda ku edhe e kanë gjetur atë të pajetë. Menjëherë sapo është lajmëruar, policia ka shkuar në vendngjarje dhe pasi ka rrethuar godinën e amortizuar ka nisur kryerjen e veprimeve. Ilia Lifo prej një viti banonte i vetëm. Në gërmadhën e përshtatur si banesë kishte vetëm pak orendi shtëpiake, mes së cilave edhe një sobë për t’u ngrohur dhe një krah me dru, që ai i kishte mbledhur për t’i përdorur në këto ditë të acarta. 60- vjeçari Lifo ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë, një djalë të martuar dhe një vajzë

Por ai jetonte i vetëm, larg fëmijëve të tij. Prej më se një viti, ai ishte strehuar në godinën e braktisur dhe nuk kishte kontakte me të afërmit e tij, ndërsa mësohet se konsumonte alkool, pavarësisht faktit se kishte edhe probleme shëndetësore.

Sipas burimeve nga policia, gjatë ekspertizës së kryer paraprakisht rezultoi se Lifo ka gjetur vdekjen si pasojë e të ftohtit. Ai vuante edhe nga diabeti, si dhe nga problemet kardiake, çka ka shtuar dyshimet se përdorimi i alkoolit mund ta ketë rënduar më shumë gjendjen e tij.

Në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune, çka të nxjerrë në konkluzionin se vdekja ka ardhur për shkak të temperaturave nën zero. Fillimisht u mendua se 60¬ vjeçari ishte një endacak, por kjo u mohua nga përgjegjësja e qendrës sociale Korçë, Irena Bozdo. Sipas saj, Ilia Lifo trajtohej me kemp të plotë./Albeu.com/

Shtuar më 11/01/2017, ora 08:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori