Moti i keq rrezikon jetën e 9 pushuesve, në Ksamil, Sarandë e Himarë
Disa turistë janë vënë në rrezik për jetën për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin këto ditët e fundit në Shqipëri.

Policia bën me dije se vetëm sot u ka ardhur në ndihmë 3 rasteve të ndryshme të cilat mund të ktheheshin në tragjedi.

Njoftimi i plotë i policisë

Policia Kufitare u ka ardhur në ndihmë në tre raste të ndryshme në Sarandë, Ksamil dhe Himarë, disa pushuesve, të cilët kishin mbetur në det, për shkak të kushteve jo të mira atmosferike!

Sarandë

Më datë 12.09.2017, shërbimet e Policisë Kufitare u kanë ardhur në ndihmë tre pushuesve, shtetasve R.M., E.H., L.M., të cilët kishin shkuar me mjetin e tyre lundrues tip varkë, në plazhin e Krorëzit dhe për shkak të kushteve jo të mira atmosferike, nuk kishin mundur të ktheheshin.

Shërbimet e policisë kufitare kanë shkuar pranë zonës në fjalë dhe u kanë dhënë ndihmë pushuesve, duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg.

Sëbashku me këta shtetas kanë qenë edhe shtetasi E.C., si edhe shtetasit polakë P.D., E.D., të cilët ditën e sotme janë kthyer duke përshkuar malin nga Krorëza në Kakome.

Ksamil

Shërbimet Policore Kufitare sëbashku me rojen bregdetare u kanë ardhur në ndihmë tre pushuesve Kosovarë, konkretisht shtetasve B.S.,V.K., B.B., të cilët kanë rrezikuar të mbyteshin në zonën e ”Shkëmbit të Miseve”, pasi mjeti i tyre lundrues tip “Kanoe”, është fundosur, si pasojë e kushteve të këqija atmosferike.

Himarë

Policia Kufitare i ka ardhur në ndihmë shtetasit polak M.S., 26 vjeç, i cili ditën e sotme në plazhin e Drimadhës, ka hyrë për tu larë dhe duke notuar, e ka marrë rryma.

Shërbimet policore i kanë shkuar menjëherë në ndihmë, duke bërë të mundur nxjerrjen e tij në breg shëndoshë e mirë.
Të gjithë shtetasit e lartpërmendur, janë shoqëruar në terren tokësor dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. /albeu.com/

Shtuar më 12/09/2017, ora 14:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori