Kuvendi i Berishës të shtunën, Bardhi: Do ta lërë PD-në përjetë në opozitë

Gazment Bardhi ka folur për mediat para Kuvendit të Shqipërisë. Bardhi ka komentuar Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha të shtunën dhe ka thënë se është përçarës dhe se do ta lërë PD-në përjetë në opozitë.

I pyetur nga gazetarët se pse platforma e propozuar nga Alibeaj nuk u kalua për votim, Bardhi tha se qëndrimet e deputetëve nuk kanë ndryshuar.

“Sa kohë që nuk ka një vendim për mbledhjen e Kuvendit, është një akt për përçarjen e PD-së. ka një platformë të shumicës së grupit të PD-së, është një akt konkret për bashkimin e demokratëve, pjesa tjetër duan ta lënë përjetë në opozitë Partinë Demokratike.

Qëndrimet nuk votohen, qëndrimet shprehen, çdo deputet që i ka vënë emrin e tij asaj platforme, natyrisht që kanë shprehur qëndrimin e tyre. Vendimet merren në institucionet e bashkisë.

Nëse dikush do ti kthejë deputetët e PD-së në karagjozë, e ka gabim. Nuk ka pasur asnjë tërheqje, asnjë prej tyre nuk është tërhequr. E rëndësishme është që për ato 5 çështje, 32 deputetët kanë pasur atë mendim për të arritur bashkimin.

Forumet mblidhen sa herë që ka vendime për të diskutuar”.

Pse platforma nuk u kalua me votë?

Bardhi: Deri tani kemi parë akte që e përçajnë PD-në, kjo nuk është zgjidhje për interesin e demokratëve, sigurisht që është zgjidhje për interesin personal të Sali Berishës, uroj shumë që të ketë reflektim, që të ketë një vlerësim realist të situatës.

Kjo platformë nuk qëndron në zyrën e zotit Alibeaj, është bërë publike. Po ta ripërsëris, ai dokument është rezultat i një diskutimi prej 9 orësh në mbledhjen e grupit të PD-së. Pas shprehjes së atij qëndrimi ka pasur mbledhje grupi, ku nuk është ngritur asnjë pretendim nga asnjë prej kolegëve.

Cilido që ka një qëndrim shtesë ta formalizojë dhe ta sjellë në grupin parlamentar./albeu.com