Mori 3 mijë euro për provimin, 4 muaj burg pedagogut
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 4 muaj burg, dënim i cili i është konvertuar me kusht, një pedagog në Fakultetin e Gjeologji-Minierave në Universitetin e Tiranës për akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Sipas gazetës Shqip, Sotir Tego jepte lëndën e Mekanikës fluide I dhe II. E dëmtuara S.I. ka qenë studente e tij në lëndën Mekanika fluide II dhe ka ngelur gati 16 herë. Herën e fundit që ka dhënë provimin në datë 13 shtator 2010, ajo i ka dhënë shtetasit Pandeli Tego shumën prej 3000 eurosh, me qëllim marrjen e notës pesë. Për realizimin e këtij qëllimi ajo i është drejtuar emisionit “Fiks Fare”, i cili i ka dhënë shumën prej 3000 eurosh dhe ka filmuar këto fakte. Pasi ka dhënë provimin, ajo pretendon se ka marrë notën 5 përkundrejt 40 pikëve. Sipas vendimit të gjykatës, “Fiks Fare”, në datë 16.09.2010 ka dhënë xhirimet e bëra prej saj dhe në fletën e provimit të datës 22.09.2010, e cila është dorëzuar në sekretari, S.I. ka rezultuar me notën jo kaluese katër. Prokuroria e Fierit ka urdhëruar dhe ka regjistruar një procedim, pasi kishte dijeni se një person me emrin Pandeli Tego i kërkon një shumë parash një studenteje në këmbim të kalimit të një provimit në Universitetin e Tiranës, te profesori Sotir Tego që është vëllai i shtetasit Pandeli.



Sipas vendimit të gjykatës, pas shfaqjes së pamjeve filmike në emisionin “Fiks Fare”, i pandehuri Sotir Tego ka ndërhyrë në dokumentet që pasqyronin marrjen e notës kaluese nga shtetasja S. I. Ai ka falsifikuar të dhënat në fletoren e provimit të shtetases S. I., duke hequr fletën e parë të fletores dhe vendosur një fletë tjetër të kësaj fletoreje si fletë të parë dhe ndryshoi vlerësimin nga 5 në notën 4, notë jokaluese. Më pas i pandehuri ka ndryshuar edhe notën dhe vlerësimin në pikë për S.I. në procesverbalin e afishuar në ambientet e fakultetit, duke vendosur një tjetër procesverbal, duke ndryshuar notën në 4, si dhe vlerësimin në 40 (dyzet) pikë. Kjo është bërë duke ndërhyrë në kompjuterin personal të të pandehurit. Gjatë gjykimit, mbrojtja e të pandehurit Sotir Tego dhe i pandehuri kërkuan pafajësi. Sipas tyre, akuza, në asnjë moment nuk ka arritur të provojë se Sotir Tego ka përfituar ndonjë shpërblim financiar, ka kërkuar dhënien e ndonjë shpërblimi, apo përfitim të çdo lloj natyre shtetases S.I., apo të ndonjë personi tjetër me qëllim vlerësimin me notë kaluese të kësaj të fundit. Madje, mbrojtja parashtroi se nuk ka asnjë falsifikim.

“Gjykata në analizë të provave shkresore dhe ato me dëshmitarë krijon bindjen e brendshme se i pandehuri Sotir Tego duhet të deklarohet fajtor për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe të deklarohet i pafajshëm për veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, thuhet në vendimin e gjykatës. /albeu.com/
Shtuar më 23/05/2013, ora 12:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori