Morën fonde dhe s'pastruan Qafe Thanë-Pogradec, 4 të arrestuar
Situata e krijuar nga reshjet e borës përgjatë festave të fundvitit, që çoi në bllokimin e shumë akseve rrugore si dhe mungesa e masave të marra nga ana e kompanive përgjegjëse, ka sjellë ndalimin nga ana e Policisë së Shtetit të 2 punonjës të një kompanie të mirëmbajtjes së rrugëve dhe 2 zyrtarë të shtetit.

Në kuadër të finalizimit me sukses të operacionit të koduar "Dëbora" janë ndaluar Alban Abazi, 33 vjeç, banues në Pogradec, administrator i firmës "RD-2" për mirëmbajtien e rrugës Qafë Thanë–Pogradec, Arlint Berberi 40 vjeç, punonjës i frimës, i pa regjistruar, si dhe zyrtarët Artan Hoxha, 41 vjeç, me detyrë Supervizor pranë Drejtorsë së Rajonit Jugor, Sektori Korçë, dhe Xhevdet Mulaj, 54 vjeç, me detyrë Specialist pranë Drejtorisë së Rajonit Jugor, Sektori Korçë, raporton "A1 Report".

Ndalimi i tyre është bërë mbrëmjen e djeshme rreth orës 22.00 nga ana e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar. Sipas policisë shoqëria "RD-2", është përgjegjëse për mirmbajtien dhe pastrimin nga dëbora të aksit rrugor Pogradec-Qafë Thanë, për të cilën ajo ka lidhur kontratë me Drejtorinë e Rajonit Jugor Gjirokastër, ku një nga kushtet e kontratës është kriposja e rrugës në rastet e ngricave apo të rreshjeve të dëborës.

Por nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se më datën 29 dhe 30 Dhjetor 2014, nga ana e shoqërisë kontraktuese nga Autoriteti Rrugor, nuk është bërë kriposja e rrugës, pasi nuk disponon asnjë dokumentacion që vërteton hedhjen e kripës në rrugë, si dhe nuk është vendosur sinjalistika rrugore lidhur me shenjat paralajmëruese për rrëshqitje të automjeteve, si dhe shenjave detyruese për vendosjen e zinxhirëve nga drejtuesit e automjeteve.

Po ashtu nga ana e administratorit të kompanisë, është shmangur kryerja e veprimeve mbikqyrëse nga drejtuesja teknike e firmës.

Të gjitha këto veprime të kryera nga shoqëria "RD-2" , sipas policisë dyshohet se janë kryer me qëllim përvetësimin e pagesave në lekë nga autoriteti kontrakor pa kryer punimet sipas kontratës.

Gjithashtu nga hetimet e kryera ka rezultuar se kompania "RD-2" ka punësuar edhe persona të tjerë të pa regjistruar në organet përkatëse shtetërore për zbatimin e kontratës. /albeu.com/
Shtuar më 04/01/2015, ora 10:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori