Monti në Tiranë? Jo, Berisha në Romë
Mario Monti
Më 6 dhe 7 maj kryeministri Berisha i shoqëruar nga ministri Bumçi e një grup sipërmarrësish do të jenë në Romë. Kryeministri do të takojë veç të tjerëve edhe presidentin italian Napolitano, kryeministrin Monti, kryetarin e Dhomës së Deputetëve Fini, njofton Portali Shqiptari i Italisë.

Gabon, edhe ANSA. Ndryshe nga ç’është shkruar ditët e fundit në mediat shqiptare duke iu referuar një komunikate të Agjencisë së njohur italiane të lajmeve, kryeministri Monti nuk ka në agjendën e tij asnjë vizitë në Shqipëri. Burime zyrtare nga Ambasada Shqiptare në Romë bëjnë të ditur për Shqiptari i Italisë se do të jetë kryeministri shqiptar Sali Berisha ai që do të vijë në Itali për një sërë takimesh. Takimi i parashikuar i Berishës me Montin në Romë është pasqyruar gabimisht nga ANSA si një vizitë e Montit në Tiranë.

Berisha i shoqëruar nga ministri Bumçi dhe një grup sipërmarrësish do të jetë në Romë në datat 6 dhe 7 maj. Paraditen e të hënës, më 7 maj, ai do të takojë homologun e tij Mario Monti me të cilin do të diskutojë rreth çuarjes përpara të projekteve të ndryshme të bashkëpunimit italo-shqiptar, veçanërisht në fushën e energjetikës, si edhe për gazsjellësin TransAdriatik.

Më pas Berisha do të ketë një takim me Presidentin italian Giorgio Napolitano, që deri më sot nuk ka vizituar asnjëherë Shqipërinë, dhe me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve Gianfranco Fini.

Një vend të rëndësishëm të vizitës e zënë edhe takimet e veprimtaritë për nxitjen e sipërmarrjes italiane në Shqipëri. Në këtë kuadër, Berisha dhe grupi i sipërmarrësve do të takojnë edhe kryetaren e Confindustrias Emma Marcegaglia. Të hënën, grupi i sipërmarrësve do të marrin pjesë në një forum të imprenditorisë të organizuar apostafat për këtë rast, në çeljen e punimeve të të cilit do të jenë të pranishëm edhe Berisha, Bumçi dhe përfaqësues të lartë të Confindustrias dhe nga ministria italiane e Zhvillimit Ekonomik.
Shtuar më 01/05/2012, ora 16:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori