Rreth 500 persona në fund të detit, familjarët të dëshpëruar për informacion

Aksidenti i javës së kaluar i një anije të mbushur me emigrantë në Detin Mesdhe, në ujrat pranë Greqisë, ka tronditur Pakistanin, prej nga vinin pjesa më e madhe, pothuajse 300 pasagjerë, të anijes.
Deri tani, autoritetet greke kanë gjetur trupat e pajetë të 81 pasagjerëve, ndërsa 104 persona kanë mbijetuar.

Autoritetet pakistaneze kanë arrestuar të paktën 14 persona nën dyshime për trafikim të qenieve njerëzore.

Shefja e zyrës së Zërit të Amerikës në Pakistan, Sarah Zaman bisedoi me disa prindër, që të dëshpëruar po presin të mësojnë mbi fatin e fëmijëve të tyre të zhdukur.

Ali Janazaib dhe kushëriri i tij Ali Hussain janë në mesin e qindra pakistanezëve të zhdukur, pasi një varkë peshkimi që po transportonte rreth 750 emigrantë, u përmbys në Detin Mesdhe pranë Greqisë më 14 qershor.

“I thashë djalit mos shko, por ai më tha se të gjithë po ikin dhe u dorëzova, e lashë të shkonte”, thotë Aurangzaib, babai i Ali Jahanzaibit.

Së bashku me kushëririn e tij, Ali Hussain ata paguan nga 8 mijë dollarë secili, për të udhëtuar me avion nga Pakistani në Libi dhe më pas me anije drejt Italisë.

Babai i Hussainit, Hafeez-ul-Rehman, e mësoi lajmin për aksidentin në rrjete sociale.

“Morëm në telefon agjentin. Ai ishte në gjumë. E pyetëm se çfarë po ndodh? Na tha se nuk dinte dhe se do të pyeste. Rreth mesnatës e konfirmoi se ishte anija me të cilën po udhëtonin at”, thotë ai.

Fqinjët dhe familjarët mundohen ta ngushëllojnë, ndërsa Rehmani pret ndonjë lajm për djalin dhe nipin e tij.

“I lutemi Zotit dhe presim informacione. Po presim një mrekulli”, thotë Rehmani.

Rreth 30 minuta larg shtëpisë së tij, ndodh një mrekulli. Azmat Kkhan është një nga të mbijetuarit.

“Ai ishte në pjesën e poshtme të anijes. Kur ajo nisi të mbushej me ujë, ndoshta ishte e shkruar që ai të jetonte, ai gjeti një të çarë dhe arriti të dalë në sipërfaqe”, thotë Muhammat Rizwan, familjar i Azmat Khanit.

Pakistani është në mesin e tre vendeve me numrin më të madh të migrantëve që mundohen të hyjnë në Evropë përmes një rruge të njohur të Mesdheut qendror, ku ndodhi aksidenti.

Kushtet e rënda ekonomike dhe të frymëzuar nga ata që arrijnë në Evropë dhe ndihmojnë familjet e tyre, çdo vit, mijëra njerëz marrin këtë udhëtim, që shpesh është vdekjeprurëse.

Në një nga zyrat rajonale të Agjencisë Federale të Hetimeve, familjarët e pasagjerëve po presin për orë të tëra në vapë, për të dhënë mostrat e AND-së.

Këto të dhëna do të ndahen me autoritetet greke, për të ndihmuar në identifikimin e trupave të viktimave.

Pas këtij incidenti, autoritetet pakistaneze po përballen me trysni për ndalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

“Kemi dërguar ekipet tona në shtëpitë e çdo viktime. Disa kanë refuzuar të takohen me ne. Të tjerët thonë se nuk dinë asgjë, se djali është marrë vetë me këtë punë dhe se nuk duan të gjurmojnë. Disa refuzojnë të ndërmarrin veprime ligjore. Pra, po hasim në shumë probleme”, thotë Muhammad Ajmal nga Agjencia Federale e Hetimeve.

Në anije ishin edhe dy djemtë e Mariam Bibit. Ajo thotë se do që e gjitha kjo të marrë fund.

“Kemi shpresë, por nuk kemi asnjë informacion. Ndonjëherë qajmë, ndonjëherë heshtim”, thotë zonja Bibi./VOA/


Shtuar 23.06.2023 15:53