Moisiu rikthen në Kuvend ligjin mbi gjobat ndaj biznesit
Albeu.com
Kreu i shtetit Alfred Moisiu i ka thënë “Jo” dekretimit të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar” duke i kërkuar ligjvënësve që ta rishqyrtojnë atë. Zoti Moisiu, në deklaratën e tij për veto të ligjit në fjalë është bazuar në nenit 85, paragrafi 1 të Kushtetutës.Edhe pse ka bërë vlerësime në krahgasim me ligjin ekzistues, presidenti u shpreh se “arsyeja, për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet me dispozitën e nenit 43, paragrafi 2 i tij. Kështu, neni 43, paragrafi 2 i ligjit ka këtë formulim: “Para se të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, tatimpaguesit janë të detyruar të paguajnë 15 për qind të çdo gjobe dhe interesi. Shqyrtimi gjyqësor i çështjeve zhvillohet sipas një procedure gjyqësore të përshpejtuar, e cila nuk duhet t’i kalojë 60 ditë”. Sipas kreut të shtetit, ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me disa dispozita kushtetuese


Lidhur me nenin 11, që ka të bëjë me me parimin se sistemi ekonomik në Republikën e Shqipërisë presidenti tha se bazohet në ekonominë e tregut dhe se prona private mbrohet njëlloj me ligj; me nenin 42 që ka të bëjë me garantimin për të mos cënuar liritë dhe të drejtat e njohura në Kushtetutë pa një proces të rregullt ligjor; dhe së fundi, me nenin 81, i cili përcakton ligjet, miratimi i të cilëve kërkon një shumicë të cilësuar.

Sipas tij, ligji nuk ka bërë dot mirë dallimin mes detyrimit tatimor dhe dënimit administrativ, që vjen për shkak të shkeljes së ligjit, të prezumuar, për subjektin tatimor, përsa i perket detyrimit për parapagimin e tyre përpara fillimit të procedurave ankimore. “Edhe pse kjo, në vija të përgjithshme është e përcaktuar saktësisht në ligj, përsëri, zgjidhja e gjetur nuk eviton sa më lart. Jam dakort me logjikën e përdorur për parapagimin e detyrimit tatimor përpara fillimit të ankimit administrativ të aktit administrativ. Logjika e kësaj qëndron në faktin se shteti duhet t’a marrë të drejtën e tij në kohë dhe se përfundimi që arrihet në këtë rast nga organi tatimor është i bazuar mbi një veprimtari të caktuar paraprake. Gabimi, në eventualitetin e tij, sjell pasojën sipas ligjit që shteti kthen shumën e marrë padrejtësisht, së bashku me interesat përkatëse. Kjo logjikë nuk mund të funksionojë në mënyre të njëjtë, qoftë dhe pjesërisht, sikurse e parashikon neni 43, paragrafi 2, me dënimin administrativ. Dënimi administrativ është gjoba e cila është disafish e vlerës së detyrimit tatimor. Edhe pse ligji i ardhur për shpallje parashikon se parapaguhet jo e gjithe gjoba, por, 15 për qind e saj, para se të paraqitet ankimi në gjykatë, çmoj se ky rregullim cënon disa dispozita kushtetuese”, tha ai.

Kreu I shteti u shpreh me tre shkaqe kryesore kundër ligjit në fjalë. Së pari, sipas tij, ligji në fjalë prish parimin e një procesi të rregullt ligjor dhe individi detyrohet me ligj që të paguajë, pjesërisht dënimin administrativ, i cili nuk është i njëjtë me detyrimin tatimor, përpara se ligjshmëria e këtij dënimi të verifikohet nga gjykata. Së dyti, shkel rregullat e ekonomisë së tregut. Parapagimi i gjobës, edhe pse në masën 15 për qind, padrejtësisht, do ta vinte subjektin tatimor në vështirësi ekonomike pasi në varësi të masës së gjobës dhe të fuqisë ekonomike, pagimi paraprak i gjobës mund të ndikoje drejtpërdrejtë dhe në vetë ekzistencën e subjektit tatimor. Së treti, neni 43, paragrafi 2, ka parashikuar që shqyrtimi gjyqësor zhvillohet sipas një procedure të përshpejtuar, e cila nuk duhet t’i kalojë 60 ditë. Lehtësisht, mund të konstatohet, që me një ligj të zakonshëm përcaktohen rregulla të procedimit në gjykatë, të ndryshme nga rregullat e procedimit që gjykata ndjek në të gjitha rastet e tjera, të percaktuara në Kodin e Procedurave Administrative. start
Shtuar më 08/05/2007, ora 14:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori